Lajmet e fundit

Trepça’89 dominoi nga fillimi në fund për të kaluar në raundin tjetër të Kupës së Kosovës.
Rastet e para serioze për ‘Minatorët’ i patën Arbnor Muja dhe Adenis Shala, por portieri i Ferizajt, Dorant Ahmetaj ishte në krye të detyrës duke shpëtuar deri në ato momente skuadrën e tij, njofton Klan Kosova.
Edhe pse ishin afër ta mbyllnin pjesën e parë me barazim pa gola, Ferizaj dështoi në çastet e fundit kur në skenë doli Robert Rrahmani që goditi saktë brenda zonës për të realizuar golin e epërsisë fillestare.
Edhe pjesa e dytë njëjtë si ajo e para i takoi plotësisht skuadrës që bën gara në Superligë, e këtë herë humbjen e thellë nuk mundi ta evitojë as portieri i ri i ferizajasve.
Muharrem Jashari goditi shtyllën në minutën e 58-të, e pas tij në skenë doli Arbnor Muja. Tre minuta i mjaftuan Mujës për të realizuar dy gola dhe për ta ngritur epërsinë në 3-0.
Shenjë në këtë takim la edhe prurja e re, Nikson Memaj që golin e gjeti kur po luhej minuta e 78-të. Ferizajasit mund të mposhteshin akoma më keq nëse Ardian Muja do të ishte i saktë nga pika e bardhë në minutën e 80.
Pas 90 minutave dominim të plotë, të besuarit e Shpëtim Idrizit siguruan edhe kalimin ne raundin tjetër te Kupës, teksa tani me moralin lartë do të presin Arbërinë në takimin e javës së parë të stinorit pranveror në Superligë.
https://www.youtube.com/watch?v=0mZrousGfTI&feature=youtu.be