Prokuroria e Durrësit ka kryer eksperiment hetimor lidhur me vrasjen e Pëllumb Metës në Shënavlash të Durrësit. Të tre fëmijët e tij, Hysen, Amarildo dhe Hygerta Meta si dhe bashkëshortja e të ndjerit, Blerina, janë dërguar në një poligon për të bërë qitje me armë.
Klan News raporton se vetëm vajza Hygerta Meta ka bërë qitje, ndërsa gruaja dhe dy fëmijët e tjerë nuk kanë pranuar të bëjnë qitje. Ka rezultuar se Hygerta di ta përdorë pistoletën.
Ky eksperiment hetimor është ndërmarrë për të përcaktuar se cili prej tyre qëlloi me katër plumba në drejtim të Pëllumb Metës për shkak të dëshmive kontradiktore që kanë dhënë fëmijët gjatë hetimeve paraprake.
Policia po verifikon gjithashtu edhe rolin e bashkëshortes së viktimës, e cila është me detyrim paraqitje dhe po hetohet në gjendje të lirë, kurse 3 fëmijët; Hyseni, Hygerta dhe Amarildo Meta janë nën masë sigurie “arrest në burg” për vrasjen e babait.
Përpara togave të zeza, Hyseni, personi i dyshuar si vrasësi i të atit, ka ndryshuar deklarimet e tij duke thënë se armën e shkrepi e motra e tij, Hygerta dhe jo ai.
“Të flasi ai që e ka bërë, motra e ka qëlluar babin jo unë. Unë vetëm kam qenë prezent. Aryseja pse donte ta vriste ishte fakti se ai donte ta fejonte me zor. Kishin debatuar shumë herë. Kam qenë i hutuar dhe i tronditur ndaj thashë që e kam bërë unë, më ka ardhur shumë keq”.
Ky version është mbështetur dhe nga vetë 19-vjeçarja, e cila përpara hetuesve fill pas zbardhjes së ngjarjes, tha se vrasjen e kreu vëllai saj i madh Hyseni, ndërsa ajo dhe vëllai i vogël e ndihmuan ta varrosnin në një gropë të hapur në oborrin e shtëpisë.
“Duke qenë që ishte shumë e vështirë dhe frika nga policia, ja lashë fajin e vrasjes vëllait. Konflikti ka nisur që në Dhjetor. I thashë jo për fejesën. Kisha frikë se nga refuzimi do më vriste. Ka pasur konflikte dhe me mamin, e ka goditur mamin edhe kur ka qenë në gjumë, për shkak se ishte zgjuar vonë. Ka qenë gjithmonë agresiv, por nuk e kam denoncuar nga frika. Shumë herë na ka thënë do ju vras. Jam penduar pasi e bëra, por nuk ka kthim pas”.
Ndërkohë vëllai i vogël, Amarildo u shpreh se nuk ka patur dijeni për ngjarjen.
Në këto kushte Prokuroria është shprehur në seancë se dëshmitë e dhëna këtë të hënë do të merren në konsideratë dhe krahasohen me provat e grumbulluara të cilat çuan policinë dhe prokurorinë në zbardhjen e ngjarjes së rëndë 13 ditë pas regjistrimit të saj.
Pasi dëgjoi edhe argumentet e prokurorisë, gjyqtarja e çështjes vendosi t’i lërë tre fëmijët e Pëllumb Metës në qeli, shkruan Tv Klan, transmeton Klankosova.tv.
●●●
VRSHKRIMI NGA
Ve Ra
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.