Lajmet e fundit

Federata e Futbollit të Kosovës shënon sot 30 vjetorin e themelimit të saj.
Për këtë ka uruar kryetari i Federatës, Agim Ademi, nëpërmjet një komunikate.
“Futbolli në Kosovë ka një traditë mbi 100-vjeçare, por 20 gushti i vitit 1991 është data që është shkruar me shkronja të arta në historinë e futbollit tonë. Kjo datë shënon themelimin e Federatës së Futbollit të Republikës së Kosovës, në një kohë shumë të vështirë, kur vendi ynë gjendej nën kthetrat e okupatorit serb”, ka shkruar Ademi.
“Sot, bëhen 30 vjet nga dita kur personalitete të shquara të futbollit dhe njerëz që kishin vizion e guxim vendosën që të themelojnë Federatën e Futbollit të Republikës së Kosovës, duke u ndarë përfundimisht nga sistemi i ish-shtetit federativ, i cili pas okupimit të vendit me forcat e regjimit serb, më nuk kishte asnjë kuptim për popullin e Kosovës”, thuhet në komunikatë.
“Secili që ka qenë pjesë e këtij institucioni e ka vendosur një gur të çmuar në themelin dhe forcimin e shtëpisë së futbollit, me të cilën sot mburremi dhe krenohemi të gjithë. Sot futbolli ynë është bërë storie suksesi në botë, andaj unë dhe KE jemi të vendosur dhe do të punojmë pareshtur, që FFK si institucion të vazhdojë progresin dhe të jetë gjithmonë një shtëpi e madhe dhe e suksesshme.”