Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka vizituar sot Federatën e Basketbollit të Kosovës me ç’rast është pritur nga kryetari i kësaj federate, Arben Fetahu.
Gjatë kësaj vizite, Gashi dhe Fetahu nënshkruan një memorandum bashkëpunimi. Sipas memorandumit të nënshkruar, Federata mbështetet nga Ministria me 248 mijë e 472 euro.
Qëllimi i nënshkrimit të këtij memorandumi është mbështetja financiare e Federatës së Basketbollit në realizimin e synimeve dhe objektivave të saj për periudhën janar-dhjetor 2019, duke zbatuar politikat programore të Ministrisë në fushën e sportit dhe në pajtim me dispozitat e Ligjit për Sport dhe akteve tjera nënligjore të përcaktuara nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Konkretisht, Federata e Basketbollit të Kosovës, mjetet financiare të pranuara do t’i shfrytëzojë për realizimin e politikave programore për avancimin e sportit femëror, avancimin e sportit cilësor, për mjekësinë sportive, për zhvillimin e aktiviteteve sportive të karakterit ndërkombëtar brenda dhe jashtë vendit, për aktivitetet për minoritetet dhe sportin multietnik, për personat me aftësi të kufizuara, etj.
Me këtë rast Gashi tha se “është kënaqësi e veçantë që jam sot në ambientet e Federatës së Basketbollit, një institucion shumë i rëndësishëm i zhvillimit të sportit. Është fat i mirë që jemi në një fazë shumë të rëndësishme të sukseseve dhe rezultateve që ka pas kjo federatë dhe basketbolli në Republikën e Kosovës”.
Ai theksoi se nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje bëhet me një vullnet të madh dhe vjen si rezultat i sukseseve që i ka sjellë Kosovës basketbolli sidomos në fundin e vitit 2018 të cilin ministri tha se e konsideron si periudhë historike për basketbollin.
Ai po ashtu tha se bashkë me kryetarin u dakorduan për mundësinë e ndërtimit të një palestre të re në Prishtinë duke thënë se është një projekt kapital i rëndësishëm për basketbollin dhe sporteve tjera
“Aktualisht në Prishtinë janë dy palestra, një Tetori dhe te pallati i Rinisë por nuk i plotësojnë kriteret e FIBA-s. Federata e ka marrë përgjegjësinë së bashku me Komunën për sigurimin e parcelës kurse ne me i nda mjetet në mënyrë që pas rishikimit të buxhetit në Qershor të krijohet mundësia të filloj.
Ndërkaq, kryetari i Federatës u shpreh po ashtu i kënaqur me nënshkrimin e këtij memorandumi. Ai falënderoi ministrin Gashi për përkrahjen e tij të vazhdueshme ndaj sportistëve dhe për avancimin e basketbollit në Kosovë./klankosova.tv/.
●●●
SZSHKRIMI NGA
Sh Z
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.