Lajmet e fundit

Filipinet po përballen me pasojat të mëdha nga stuhia tropikale Trami, e cila ka shkaktuar përmbytje masive në pjesën verilindore të vendit. Pamjet apokaliptike nga zonat e prekura tregojnë se vetëm kulmet e shtëpive kanë mbetur në sipërfaqe, ndërsa 23 trupa të pajetë janë nxjerrë nga venbanimet Bicol dhe Quezon. Kërkimi për ata që ende figurojnë të zhdukur vazhdon.
Shumë qytetarë që i shpëtuan stuhisë janë bllokuar në katet e larta të shtëpive të tyre. Ekipet e shpëtimit kanë hasur vështirësi në depërtimin në zonat e prekura për shkak të reshjeve të vazhdueshme. Ky vend lindor aziatik ka përjetuar dy muaj me reshje intensive, duke shkaktuar edhe rrëshqitje të dheut me pasoja fatale, njofton Klankosova.tv.
Qeveria ka mbyllur shkolla dhe biznese, përveç atyre që ofrojnë shërbime emergjente. Sipas Agjencisë për Zbutjen e Fatkeqësive, më shumë se dy milionë njerëz janë prekur nga stuhia, përfshirë 75 mijë e 400 fshatarë që u detyruan të braktisin shtëpitë e tyre.
Filipinet janë të njohura për ndjeshmërinë ndaj fatkeqësive natyrore, me rreth 20 stuhi dhe tajfune që godasin vendin çdo vit. Arkipelagu ndodhet në "Unazën e Zjarrit të Paqësorit," një zonë me shpërthime vullkanike dhe tërmete të shpeshta, duke e bërë atë një nga rajonet më të prekura nga katastrofat natyrore në botë.