Evropa është në zemër të ekspozitës "Cartoon Xira" të këtij viti, një ekspozite vjetore kushtuar komikave, vizatimeve satirike dhe artit. Ngjarja që e ka marrë emrin nga qyteti ku zhvillohet, Vila Franca de Xira, është vetëm 30 kilometra në veriperëndim të Lisbonës në Portugali, shkruan euronews, përcjell KlanKosova.tv.
Tri ekspozitat kryesore që përbëjnë edicionin e këtij viti janë: 'A është Kjo Evropë ?!', 'RossToons' dhe 'Karikaturat e Vitit 2020'.
Siç sugjeron edhe vet emri 'Karikaturat e Vitit 2020', përbëhet nga një koleksion i vizatimeve më të mira humoristike nga një duzinë artistësh portugezë të botuara gjatë vitit të kaluar.
Edhe pse ky vit u shënua nga ngjarje si Brexit, konflikti Izraelito-Palestinez dhe marrëdhëniet e perëndimit me Kinën, organizatorët e 'Cartoon Xira' kanë vënë në qendër të vëmendjes së këtij koleksioni largimin e Trump nga Shtëpia e Bardhë dhe natyrisht COVID- 19, një ndër krizat më të mëdha globale në vitet e fundit.
Ata kanë dashur të nënvizojnë se viti 2020 ishte një vit i vështirë, dhe përmes kësaj ekspozite kanë dashur të japin një interpretim që transmeton humor që në fkat është shumë i nevojshëm.
Joao Fazenda, është një karikaturist portugez, i cili në këtë ekspozitë tregon se viti i kaluar ishte "atipik", "ishte një vit që gjithashtu na detyroi t'i shikojmë gjërat në një mënyrë të re". Për të, kjo pasqyrohet në punën në 'Cartoon Xira'.
'A është kjo Evropë ?!', është një koleksion i punës nga karikaturisti grek, Michael Kountouris. Organizatorët e sfiduan atë për të përshkruar pyetjet dhe dëshirat e qytetarëve të BE-së, përmes njëqind vizatimeve të tij.
Për të kompletuar formatin me tri pjesë të 'Cartoon Xira 2021', ekspozita 'RossToons', është një retrospektivë e punës së artistit skocez, Ross Thomson.
Në moshën 83 vjeçare, Thomson është ende aktiv dhe ekspozita për nder të tij ofron një vështrim të shkurtër rreth karrierës së gjatë në botën e reklamave, karikaturave dhe vizatimeve satirike, e cila i ka sjell atij më shumë se njëqind çmime.
Ndërkaq, artisti Antonio Antunes, kurator dhe karikaturist, ka thënë se ekspozita e Kountouris mund të duket si "një pamje kritike e Evropës" dhe madje "një ekspozitë anti-Evropiane", por sipas tij, asgjë nuk mund të ishte më larg të së vërtetës.
"Është një ekspozitë që flet për Evropën kur nuk vepron si një bllok i bashkuar. Sipas mendimit tim, kjo do të thotë që qytetarët evropianë kanë një seri aspiratash, ëndrrash dhe pritjesh për Evropën që në fakt ajo nuk po i përmbushë. Ajo tregon mosfunksionimin midis dëshirave të qytetarëve dhe realitetit politik të elitës evropiane ”, ka pohuar ai.
Disa nga temat e shfaqura në këtë koleksion përfshijnë imigracionin, ngritjen e ekstremit të djathtë dhe se si pandemia po vë në pikëpyetje rolin e BE-së.
Duke paraqitur anën satirike të pandemisë COVID-19 dhe interpretimin komik të çështjeve aktuale, dyert e ekspozitës 'Cartoon Xira' do të jenë të hapura për publikun deri më 29 gusht të këtij viti.
●●●
SZSHKRIMI NGA
Sh Z
Editorial nga Klan Kosova — ndjek kulturë dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.