Euforia dhe apatia po ecin dorë për dore javën e fundit në këtë shoqërinë kosovare.
Euforia ka rrënjë sportive, apatia i ka rrënjët (e thella) politike.
Euforia i është qepur një pyetjeje krejtësisht mbizotëruese që nga 26 marsi, pas fitores së madhe të Kosovës në ballafaqimin me Sllovakinë në Bratisllavë: A mundet Kosova të kualifikohet për pjesëmarrjen në Kampionatin botëror të futbollit që do të mbahet sivjet më SHBA, Kanada dhe Meksikë?
A do të ndodhë kjo mrekulli sportive?
Apatia e re politike po ushqehet vazhdimisht me pyetjen: A mundet Kuvendi i Kosovës ta zgjedhë Presidentin e ri të vendit, apo sërish do të detyrohemi të kërkojmë shpëtim (?) në votimet e reja parlamentare?
A do të ndodhë kjo mrekulli politike? (e zgjedhjes së Presidentit).
Në sport, në futboll, i cili është tej mase i popullarizuar në Kosovës (si edhe në gjithë Botën), përfaqësuesja e jonë ia ka mësyrë t’i arrijë majat të cilat deri vonë kanë banuar në sferat e imagjinatës të skajshme.
Mbase, kjo çka po e jetojmë të gjithë ne, që prej javës së kaluar, është një ëndërr e bukur nga e cila nuk duam të zgjohemi.
Në politikë, skena vendore është në një tatëpjetë të madhe që nga viti i kaluar, teksa kush nuk di edhe sa do të mund të vazhdojë kjo rënie e madhe politike.
Mbase, kjo çka po e jetojmë të gjithë ne, që prej vitit 2025 në këtë politikën vendore, është një makth i keq prej të cilit duam të zgjohemi sa më parë që është e mundur.
Po i jetojmë pra gjendjet e skajshme në këtë përditshmërinë tonë.
Natyrisht, nuk do të ketë kush këndejpari i cili nuk do t’i gëzohet fitores eventuale të Kosovës në ndeshjen e kësaj të marte (31 mars), me Turqinë, e cila do të zhvillohet në Prishtinë.
Për më shumë, këtyre ditëve të fundit, po na bie t’i dëgjojmë dhe lexojmë deklaratat që po ndërlidhin këtë arritje të madhe (eventuale) në futboll, me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, në atë shkurtin e vitit 2008.
Po thuhet që shkuarja e Kosovës në Kampionatin botëror të futbollit do të jetë arritja e dytë më e madhe e shtetit të Kosovës, pas pavarësisë.
Këtu nuk duhet harruar që sportistët e vendit na kanë bërë qëmoti krenarë me sukseset e njëpasnjëshme në sportin e xhudos, përfshirë këtu edhe medaljet në Olimpiada.
S’ka dyshim që ndeshja e Kosovës me Turqinë, këtë të martë, do të jetë ngjarja më e përcjellur në historinë e re e Kosovës pas asaj seance parlamentare të 17 shkurtit të vitit 2008.
Megjithatë, cilidoqoftë rezultati i kësaj përballjeje, edhe nëse pra nuk do t’ia dalim, nuk duhet harruar që në bazë të lojës dhe rezultateve që i arritën futbollistët tonë në dy vitet e fundit, Kosova mund të bëjë çudira në futboll tash e tutje.
Pastaj, janë këta (futbollistë), që na kanë mëkëmbur shpresën e nëpërkëmbur nga politika e vendit.
Nuk është pak prej tyre. Përkundrazi.
Në gjithë këtë rrëfim sportiv nuk duhet harruar faktin e quajtur Franco Foda, trajnerin kryesor, seleksionuesin e përfaqësueses së Kosovës.
Foda arriti ta nxjerr më të mirën nga futbollistët e Kosovës të cilët luajnë, ndryshe, në të katër anët e Botës.
A nuk është kjo detyra edhe e politikanëve të Kosovës: Ta nxjerrin dhe ta ruajnë (për më shumë), më të mirën që kanë qytetarët e Kosovës dhe ky vend?
Përgjigjen në këtë pyetje e dimë të gjithë.
Nuk do të jetë befasi fare, nëse të martën në mbrëmje do të dalim fitues në lojën me Turqinë, dhe nëse pra i prejmë buletat për Botërorin e sivjetëm, që në një tjetër shpërthim të euforisë ndër ne, do të ketë qytetarë të Kosovës të cilët do ta propozojnë Franco Fodan për President të ri të Kosovës.
Ky do të mund ta përmbushte shumë mirë këtë tiparin e Presidentit konsensual.
Formalisht, mos u habitni, diçka e tillë mund të bëhet me Kushtetutën e Kosovës.
Krejt çka i duhet Fodas për tu kualifikuar për këtë post është nënshtetësia e Kosovës, të cilën ky mund ta marr me procedurë të shpejtë (dhe shumë të merituar), nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Zaten, në çdo variant, ky e ma merituar nënshtetësinë e Kosovës.
●●●
AHSHKRIMI NGA
Alberta Hyseni
Editorial nga Klan Kosova — ndjek kolumne dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.