Trajneri i Barcelonës, Luis Enrique nuk mendon se përballja e sontme në Berlin do të jetë ajo e dy filozofive të ndryshme të futbollit, pasi edhe Juventus do që ta ketë posedimin e topit.
Spanjolli ka folur për pikat kyqe të ndeshjes duke përfshirë lojtarët, strategjinë dhe normalisht yllin e skuadrës, Lionel Messi.
“Nuk mendoj se është përballje e dy stileve të ndryshme të lojës. Juventus do që ta ketë posedimin dhe kanë lojtarë në dispozicion për ta bërë këtë gjë. Ata nuk çalojnë në asnjë aspekt”.
“Sa i përket euforisë mendoj se mund të ketë, por vetëm tek fansat. Ekipin është ndër më të mirët që ka pasur Barcelona në histori. Prandaj shpresojmë një finale spektakolare”.
“Ne poashtu e dimë se lojtarët tanë do të jenë në qendër të vëmendjes. Kjo për arsyen se kemi më të mirin e botës në radhët tona – Messi. Por, për të arritur çka duam na nevojitet punë ekipore, të cilën kemi dëshmuar se e kemi”.
Barcelona do të përballet me Juventusin në finalen e Champions League në Berlin, të shtunën me fillim në 20:45.
●●●
KSHKRIMI NGA
KLANKOSOVA
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.