Lajmet e fundit

J.K. Rowling dhe Elon Musk janë përmendur që të dy në një padi që është dërguar te autoritetet franceze mbi ngacmimet e supozuara kibernetike kundër boksieres algjeriane, Imane Khelif.
Khelifi, që mori medaljen e artë, u akuzua gjatë Olimpiadës së Parisit se ishte burrë, por ajo ka vetëm nivel të ngritur të testosteroneve.
Avokati Nabil Boudi e ka konfirmuar për revistën Variety që të dyja këto personalitete janë përmendur në padi.
Sipas Variety, padia është bërë ndaj rrjetit social X, që sipas ligjit francez do të thotë që është bërë ndaj personave të panjohur.
Moguli Elon Musk kishte ndarë një postim nga notarja Riley Gaines që pohonte që “burrat nuk përkasin në sportin e grave” ku ishte pajtuar duke thënë “Absolutisht”.
Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, kishte postuar një mesazh me një fotografi nga meçi i Khelifit me Angela Carinin, me mesazhin: “Do t’i mbaj burrat jashtë sporteve të grave”.
Edhe autorja e librave me Harry Potterin, Rowling, kishte publikuar një fotografi nga meçi, ku e akuzonte Khelifin se ishte burrë që po e shijonte vuajtjen e një gruaje që sapo e kishte goditur në kokë.