Lajmet e fundit

Opinionistja Elena Uka nga Suedia, ka kritikuar ashpër fushatën e Lëvizjes Vetëvendosje kundër produkteve të korporatës Devolli.
Në KosovaToday, ajo tha se ky veprim është “persekutim brutal” ndaj Devollëve.
“Në fillim kur e pash, nuk e besova, sepse vinte prej dy ish-pushtetarëve. Ky është persekutim brutal që u bëhet Devollëve. Unë natyrisht e lidha me faktin se disa ditë më herët, njëri prej vëllezërve Devolli, sepse nuk i njoh ata, ka qenë në Hagë (pak kontekst: Shkëlqim Devolli ka vizituar ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin, që po gjykohen në Hagë)”, u shpreh Uka.
Ajo kujtoi kohën kur për herë të parë kishin pasur mundësi të porosisnin birrën Peja në Suedi, për çka thotë se është konsideruar si arritje e madhe.
Sipas saj, një brend me të cilin identifikohet shteti me të, edhe e fuqizon të njëjtin.
Ndërkaq, ajo mori një shembull praktik me vendin e saj për të krahasuar sulmin që po i bëhet korporatës Devolli.
Uka tha se ky sulm është njëjtë sikur të sulmonte kryeministri suedez kompanitë Volvo apo IKEA.
“Sikur p.sh. kryeministri këtu ta sulmojë Volvon ose IKEA-n. Për mua është e pakuptimtë, sepse ky është persekutim brutal, siç është bërë me foton që është paraqitur. Kam reaguar menjëherë, sepse vinte prej ministres së Punëve të Jashtme që ka jetuar në Gjermani. Po ta postonte atë fotografi në Facebook edhe si njeri i thjeshtë në Gjermani, do të kishte konsekuenca juridike. Por te ne po bëhet kështu sepse këta po e ushtrojnë këtë farë mënyre se ‘unë jam i paprekshëm’ dhe ‘s’mund të më bësh asgjë’”, deklaroi Uka. /Klankosova.tv