Ekspozita personale e artistes Laureta Hajrullahu, e titulluar “të zhbësh, të shpërbëhesh, të zhdukesh”, e kuruar nga Michalina Sablik, hapet sonte nga ora 19:00, në Galerinë Kombëtare të Kosovës – QAFA.
Kjo ekspozitë sjell një udhëtim përmes identitetit dhe hapësirave digjitale, ku lojërat, algoritmet dhe kultura e internetit ndërthuren me objekte fizike dhe video imersive të komisionuar për këtë ekspozitë.
Laureta mbështetet në spekulim, folklor digjital dhe mbetjet emocionale të jetës online, duke parë identitetin si një entitet që redaktohet dhe ripërkufizohet vazhdimisht. Ajo trajton pyetjet mbi privatësinë, gjininë dhe identitetin online, si dhe temat e një të ardhme post-internet ku kufijtë janë gjithnjë e më të lëvizshëm.
Në qendër të ekspozitës, janë të vendosura dy objekte monumentale që ngjasojnë me gurë të pikseluar, mbi sipërfaqet e të cilëve shfaqen projeksione holografike. Duke u nisur nga ideja e gurit si simbol i kufirit dhe qëndrueshmërisë, ekspozita vë në pikëpyetje kufijtë e fiksuar dhe rolin e objekteve dhe peizazheve digjitale në përvojën tonë online./Klankosova.tv
●●●
SZSHKRIMI NGA
Sh Z
Editorial nga Klan Kosova — ndjek kulturë dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.