Lajmet e fundit

Egjipti tha se do të mbështeste padinë nga Afrika e Jugut të paraqitur për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë kundër Izraelit, sipas një njoftimi të qeverisë.
Vendimi i Egjiptit për të ndërhyrë në padi u mor “në dritën e ashpërsisë në rritje dhe shtrirjes së sulmeve izraelite kundër civilëve palestinezë në Rripin e Gazës”, thuhej në njoftim.
“Këto sulme përfshijnë shënjestrimin e qëllimshëm të civilëve, shkatërrimin e infrastrukturës, zhvendosjen e detyruar dhe krijimin e kushteve të padurueshme të jetesës, duke çuar në një krizë të paprecedentë humanitare në Gaza”, u tha në njoftim, raporton CNN, transmeton Klankosova.tv.
“Këto veprime përbëjnë një shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare, të së drejtës humanitare dhe të Konventës së Katërt të Gjenevës të vitit 1949 në lidhje me mbrojtjen e civilëve gjatë kohës së luftës”.
Egjipti përsëriti thirrjen e tij drejtuar Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe "palëve ndërkombëtare me ndikim" për të ndërmarrë veprime të menjëhershme për të ndaluar shkeljet e ligjit ndërkombëtar në Gaza dhe ofensivën ushtarake të Izraelit në qytetin Rafah.