Lajmet e fundit
Më 22 maj organizohet edicioni i 20 i konkursit “Pianisti i Ri”. 100 pjesëmarrës do të gjykohen nga një juri profesionistësh të huaj e shqiptarë, ku do të shpërndahen 5 çmime për fituesit.

Në këtë edicion XX mbi 100 pianistët pjesëmarrës do të gjykohen nga juria e përbërë nga 5 anëtarë, emra të mirënjohur të fushës së muzikës, të huaj dhe shqiptarë si kryetari Flavio Zaccaria, i ardhur nga Konservatori “Giuseppe Tartini” i Triestes, Lejla Pula nga Kosova, Teresa Trevisan nga Italia, Heribert Koch, Gjermani dhe dirigjenti shqiptar, Oleg Arapi.
Pjesëmarrësit janë ndarë në 5 kategori sipas moshës dhe do të vlerësohen me çmime e diploma pas çdo kategorie, ku kryesorët janë 5 çmime të para absolute; Çmimi “Beethoven”, çmimi ‘Chopin”, çmimi ‘Andre Hajdu’ (kompozitor izraelit bashkëkohor) dhe ‘Çesk Zadeja’.
Ndërsa në koncertin gala të Finalistëve, më 24 Maj në Universitetin e Arteve, fituesit e çmimeve kryesore të këtij edicioni dhe fituesit e çmimeve të para absolute të vitit të kaluar do të konkurrojnë për 4 çmime të tjera, konkretisht çmimi “Lola Gjoka” , “Crola Grindea”( themeluesja e EPTA s), “Filippo Trevisan”( pianist italian që humbi jetën aksidentalisht) dhe çmimi “Orkestra RTSH” që i jep mundësinë pianistit të ri të luajë me orkestrën e RTSH-së.
Këtë vit masterclasse-in e zhvillon prof. Heribert Koch me nxënës të përzgjedhur direkt nga festivali më 25 maj. Si anëtar i komitetit të masterclasse-ve ndërkombëtare, ai sjell këtë vit dhe një bursë për të ftuar në Gjemani një nga këta pjesëmarrës. Janë shanse që nuk vijnë rregullisht, por që ndikojnë ndjeshëm në arritjet e talenteve tona.