Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili ka bërë një reagim mbi situatën e mundësisë së koalicioneve për konstituimin e institucioneve të reja.
Ajo shprehet se me VV-në kanë hendek të thellë, dhe sipas saj me asnjë subjekt nuk hyjnë në qeveri pa kryeministër, Lumir Abdixhikun, transmeton klankosova.tv.
''Në fushatë ishim kristal të qartë! Janë tre gjëra që i kemi përsëritur vazhdimisht:
- Kemi hendek të thellë me VV;
- LDK nuk hyn në qeveri të cilën nuk e udhëheq LDK (Lumir Abdixhiku);
- Nuk jemi parti “bllok opozitare”. Jemi LDK-ja. Si e tillë, nuk jemi grup me të tjerët. Nuk formojmë qeveri jostabile veç për hir të pushtetit.
Mbi këto premisa, ne u votuam! Votuesi ynë, na dha besimin mbi këto qëndrime! Votuesi ynë, si para, njësoj pas zgjedhjeve - e gjen LDK të pandryshueshme në premtimet e saj.
Nëse ky vend sot na do në opozitë, si parti të tretë, aty do të na ketë!
Duke e vendosur LDK-në para interesave personale, ne po e vendosim Kosovën para gjithçkaje tjetër. Për ne, dobësimi i LDK nënkupton dobësim të vet Kosovës. Prandaj, gabimet nuk i përsërisim! Sot, i qëndrojmë besnik elektoratit tonë, qëndrimeve tona.
Sot, nuk pres që kundërshtarët e LDK të pajtohen me ne. Në fakt, mospajtimi i tyre konfirmon se jemi në rrugë të duhur të përfaqësimit të votuesit tonë.
Sot, jemi 65 mijë më shumë se në 2021!
Një ditë, do të ringritemi si një!''.