Lajmet e fundit

Këshilli Prokurorial i Kosovës, në mbledhjen e mbajtur sot ka vlerësuar se vendimi i sotëm i qeverisë në lidhje me pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve është antikushtetues.
KPK, vendimin e qeverisë e vlerësoi edhe si ndërhyrje flagrante në pavarësinë e sistemit prokurorial.
“Në këtë takim Këshilli Prokurorial i Kosovës ka nxjerrë vendim ku kërkon nga Qeveria e së Republikës së Kosovës që menjëherë të anulojë vendimin Nr. 03/109 të datës 23 nëntor 2022”.
“Në ndërkohë, puna e prokurorive do të reduktohet dhe do të vazhdojë vetëm me shërbime esenciale, po ashtu Këshilli dhe prokuroritë do të pezullojnë të gjitha format e bashkëpunimit me përfaqësuesit e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e KPK-së, transmeton Klankosova.tv.
Tutje, KPK ka thënë se nëse vendimi i sotëm i qeverisë nuk shfuqizohet deri më 8 dhjetor, atëherë ata do të vendosin për masa të tjera më radikale.
Njëjtë si KPK ka vepruar edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës, ku kanë thënë se do të pezullojnë të gjitha format e bashkëpunimit me përfaqësuesit e qeverisë si dhe punën do ta reduktojnë vetëm në shërbime esenciale.