Lajmet e fundit

Një kamerier në Serbi e ka gjetur, e më pas e ka dërguar në polici, një çantë me 42 mijë euro brenda.
Por, një javë pas këtij veprimi të tij të ndershëm, askush nuk i ka shkuar në lokal për ta falënderuar, transmeton Klan Kosova.
Savo Petroviq ka thënë se çantën e gjeti afër një tavoline në terrasën e lokalit "Kutak 015", derisa ndodhet në ndërrimin e dytë.
Sipas tij, në atë vend kanë qenë të ulur dy meshkuj dhe dy femra, që me shumë gjasë, nuk ishin nga qyteza Lubovije.
Në fakt, ai nuk i kishte numëruar paratë, por një gjë të tillë e kishin bërë policët, që më vonë kishin ardhur t'i kërkojnë atij ta nënshkruajnë një dokument në të cilin shkruhej se në çantën e dorëzuar nga ai, ishin 42 mijë euro.
"E nënshkrova letrën, por nuk mund të besoj se për çfarë shume bëhet fjalë. Kush bart kaq shumë para me vete dhe si i harron gjithë ato, nuk e di", ka thënë Petroviq për "Dnevne", përcjellë Klan Kosova.
Më vonë u mor vesh se çantën e ka marr një grua që ka thënë se është nga Lloznica, por e cila nuk e ka falënderuar fare 21 vjeçarin.
Por, shumë shokë të kamerierit e kanë kritikuar atë pse i ka dorëzuar paratë.
"Disa më thanë se jam i marrë që i ktheva paratë, por unë prapë do të veproja njëjtë", ka thënë tekniku i makinerisë që në mungesë të një vendi të punës sipas zanatit, punon si kamarier.