Dy persona janë arrestuar në Prishtinë të enjten për kanosjen e gazetarit Lirim Mehmetaj, më 18 dhe 19 janar.
Në raportin 24-orësh të policisë thuhet se të dyshuarit e kanosën Mehmetajn përmes rrjeteve sociale. Pas intervistimit me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.
Për këtë rast, gazetari Mehmetaj ka reaguar me një postim në Facebook, duke thënë se ditët në vazhdim pritet të ketë edhe arrestime të personave të tjerë, të dyshuarit ai i quajti "të instrumentalizuar nga pushteti".
Gishtin Mehmetaj e drejton edhe nga Lëvizja Vetëvendosje e kryeministri Albin Kurti.
"Me siguri, secili prej tyre nuk i ka mirë punët personalisht, e pikërisht kjo është shtresa që më së shumti e eksploaton Vetëvendosja e Albin Kurtit. Ata, duke keqshfrytëzuar fatkeqësitë individuale të njerëzve, i bindin që arsyeja e gjendjes së mjerueshme që e kanë, nuk është qeveria që nuk punon po gazetari që kritikon qeverinë për mos punë".
"Të dashur, mos i nxirrni telashe vetës kot, nuk jemi çliruar nga Serbia që me u frikësu nga një derivat i tyre siç është Albin Kurti, kështu që shterpë janë tentativat. Më mirë është të bëhemi bashkë e t’i mbajmë përgjegjëse qeveritë", tha Mehmetaj.
Më tej, ai bëri thirrje që të ndalohen këto raste të kanosjeve, dhe që personat e tillë të bëhen bashk me gazetarët që siç thotë ai të ndalohet "Qeveria kriminale" për të mos vjedhur më.
●●●
LGSHKRIMI NGA
L. Ga.
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.