Lajmet e fundit

Mesnatën e së premtes skadoi afati për mbledhjen e të paktën dhjetë mijë nënshkrimeve të nevojshme sipas ligjit, për të arritur kushtin e parë për të hyrë në garën për president.
Shtatë janë kandidatët që do të përballen më 24 prill, shkruan alsat.mk, transmeton Klankosova.tv.
Profesorja dhe deputetja, Gordana Siljanovska Davkova hyn si kandidate e mbështetur nga VMRO-DPMNE-ja dhe partitë e koalicionit. Ajo është në këtë garë për herë të dytë, duke qenë se në vitin 2019, në rrethin e dytë humbi betejën ndaj kundërkandidatit të saj, Stevo Pendarovski.
Presidenti Pendarovski në këto zgjedhje për mandatin e dytë ka mbështetjen e LSDM-së dhe partive të tjera të koalicionit.
I treti në listë është Maksim Dimitrievski, kryetar i Komunës së Kumanovës, kryetar i lëvizjes “E di” dhe ish funksionar i LSMD-së. Pas tij është Stevço Jakimovski, kryetar i Komunës së Karposhit.
Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani është kandidati i BDI-së në këto zgjedhje.
Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari ka mbështetjen e koalicionit opozitar shqiptar “VLEN”.
“E Majta” në këto zgjedhje presidenciale do të garojë me kandidaten e saj, profesoren Biljana Vankovska.
Nëse në rrethin e parë asnjëri nga kandidatët për president nuk e merr shumicën e votave, në rrethin e dytë do të votohet për dy kandidatët që kanë marrë më shumë vota.