Lajmet e fundit

"Para tre vitesh qysh se nxora botimet e mia 'Fuqia e Fjalës' me ese psikologjie, dhe “Përtej asaj që shoh” me poezi, kisha idenë e projektit të tillë. Jo se janë botimet e mia, por mendoj që botimet e mia kanë përmbajtje të përshtatshme dhe janë të dobishme për çdo moshë e gjini. Kushdo që ka pasur rastin t'i lexojë e ka parë se sa shumë motiv, shpresë, këshilla, dashuri e emocione ka brenda tyre, andaj besova se pikërisht botimet e llojit të tillë do të janë dhurata më e bukur për personat e verbër, gjë që shpresoj tashmë me ndihmën e një mikut tim të arrijmë edhe t'i bëjmë në audio, me zë. Projekt ky ndoshta si i pari nga tridhjetë vitet e fundit (pas Abetares) që u përkthye në shkrimin Braille", tha Alidema.
Psikologja thekson se synim i saj janë 100 ekzemplarë, e deri më tani ka arritur që t'i bëjë vetëm 10 sosh.
"Varësisht mjeteve sa mund të sigurohen, aq do të përkthej. Nëse do të arrija deri në 100 ekzemplarë, ndoshta deri diku do të thosha se mbulojnë nevojat bazike, meqë numri i personave të verbër është goxha numër i madh. Unë deri tani kam përkthyer nga 5 ekzemplarë, d.m.th. 5 nga njëri botim dhe 5 nga tjetri. Nga një ekzemplar kam dërguar në Bibliotekën e të verbërve 'Syri ynë' në Prishtinë, në Shoqatën e të Verbërve në Prishtinë, në Shoqatën e të Verbërve në Ferizaj për të vazhduar tutje edhe në shkollën e të verbërve në Pejë dhe gjithkund ku ka seli të shoqatave të të verbërve", theksoi ajo.
Alidema tregon se si ka lindur ideja e saj lidhur me këtë projekt, duke i falënderuar ata që e ndihmuan në realizimin e tij.
"Thënë drejtën, ideja e projektit ishte moti kohë e lindur, ishte në planet e mia shumë vite më parë, por siç e theksova më lartë ishte projekt me kosto të lartë dhe nuk arrija dot si e vetme ta realizoja. Fatmirësisht ekzistojnë njerëzit e vullnetit për të ndihmuar dhe me ndihmën e tyre arrita ta filloj projektin dhe mbes me shpresën ta realizoj deri aty sa e shoh të nevojshme për numrin e personave të verbër që bindshëm them nuk janë pak. Ideja? Duke qenë psikologe me profesion kam pasur raste kur familjarët e tyre kërkuan ndihmën time profesionale që sado pak t'i këshilloj në ngritjen e vetëbesimit, disponimit të tyre, mirëpo sado që desha apo dua t'u ofroj ndihmë profesione, dyshoj se është vështirë e arrirë sepse mungesa e shikimit është vështirë e pranuar, është e arsyetuar dhe nuk ka ndonjë fjalë mrekullibërëse që e zëvendëson. Andaj, mendova se këto botime do të janë sadopak një ndihmesë relaksimi për personat e verbër, ku ata do ta kanë mundësinë të lexojnë e analizojnë, mësojnë plus diçka vet pa ndihmën e askujt. Jam më se e bindur se iu mungon literaturë në rrafshin e psikologjisë e veçmas atyre brenda botëkuptimit tonë si shoqëri", thotë psikologja.
Psikologja shtoi se ndihet e përmbushur me nisjen e iniciativës së saj. Ajo thotë se librat e botuar në gjuhen e Brailleit do të jenë falas.
"Po [ndihem] shumë [e përmbushur], e ndjej se pavarësisht arritjeve të mia të deritanishme, që nuk janë edhe të pakta, dyshoj se ky përkthim është mbi të gjitha arritjet e mia apo arritja më e madhe që kam bërë deri më tani. I kisha caktuar vetes sikur një obligim ndaj personave që kanë nevojë për ne", tha ajo.
Teksa në fund, psikologja Lule Alidema thotë se edhe rruga për të ardhur deri këtu s'ishte edhe pa vështirësi.
"Kuptohet se kisha paksa vështirësi meqë ishte projekt paksa më i pazakontë. Lirshëm them se ishte projekt që duhej të realizohej nga institucionet përkatëse por meqë deri tani nuk u bë, atëherë e fillova unë së paku edhe të shërbej si motiv për të ju kujtuar se ne duhet të punojmë në të mirën e njerëzve që kanë nevojë për ne. Pastaj kisha vështirësi në gjetjen e adresave, numra kontaktues të personave që merren me të tilla lloj botime e që këtu më ndihmoi një mikja ime, Defektologe Elona Shkodra. Vështirësi tjetër ishte edhe sigurimi i mjeteve sepse pak kush e kuptonte se çfarë po bëja, pse pikërisht botime e që sipas shumëve, të verbrit nuk shohin t'i lexojnë d.m.th. nuk njihnin as çka është shkrimi Braille".
"Me një fjalë, mjafton të fillohet me mendim të mirë e që gjithsesi pastaj rrugët gjenden", tha në fund psikologja Lule Alidema. /Klankosova.tv