Kur Milo Gjukanoviq u bë kryeministër për herë të parë, Jakov Milatoviq ishte vetëm 4 vjeç.
Sot Milatoviq i dha fund epokës 32-vjeçare të udhëheqjes së Gjukanoviqit me Malin e Zi, pasi që fitoi raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, sipas rezultateve preliminare.
Gjukanoviqi kishte filluar karrierën politike, si përkrahës i politikave të Milosheviqit dhe Bulatoviqit, por ua ktheu shpinën në pjesën e dytë të viteve ‘90. Gjatë luftës së Kosovës kishte hapur dyert për refugjatët shqiptarë nga Kosova dhe kishte kundërshtuar ashpër politikat e Milosheviqit.
Ishte udhëheqës i lëvizjes së Malit të Zi për pavarësi, si dhe e njohu pavarësinë e Kosovës, pavarësisht protestave të dhunshme kundër në Podgoricë. Përgjithësisht, politika kosovare e ka konsideruar Gjukanoviqin si aleat.
Kush është 36-vjeçari Jakov Milatoviq - Presidenti i ri i zgjedhur i Malit të Zi?
Ai për herë të parë mori post publik si ministër i Ekonomisë dhe Zhvillimit Ekonomik në Kabinetin e kryeministrit Zdravko Krivokapiq, nga 4 dhjetori 2020 deri më 28 prill 2022, ku zvëvendëskryeministër ishte shqiptari, Dritan Abazoviq. Gjatë mandatit të tij, Milatoviq dhe ministri i financave Milojko Spajiq prezantuan dhe zbatuan programin e diskutueshëm të reformës ekonomike "Evropa tani".
Në vitin 2022, Milatoviq dhe Spajiq themeluan partinë politike Evropa Tani, e cila mori pjesë në zgjedhjet lokale të vitit 2022. Milatoviqi kryesoi listën zgjedhore të organizatave në Podgoricë si kandidat për kryetar komune.
Milatoviq ka votuar për pavarësinë e Malit të Zi në referendumin e pavarësisë së vitit 2006 dhe mbështet anëtarësimin e Malit të Zi në Bashkimin Evropian. Së fundi ka deklaruar se Kosova është shtet i pavarur dhe se ai nuk do ta ngris këtë fare si çështje, pasi që angazohet për marrëdhënie të mira të Malit të Zi dhe Kosovës e rajonit.
Si do të ndikojë vërtet në marrëdhëniet Kosovë - Mal i Zi?
Ndonëse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në “Rubikon” shprehu brengën për humbjen eventuale të Gjukanoviqit si fund i Malit të Zi proevropian dhe kombit malazez, kjo mbetet të shihet.
Milatoviq ka qenë pjesë e qeverisë e cila ka nënshkruar parimet ku janë të çimentuara pakthyeshmëria e pavarësisë së Kosovës, anëtarësisë në NATO, rrugëtimit drejt BE-së dhe sovranitetit të Malit të Zi.
Sidoqoftë, fillim i një epoke të re te fqinji perëndimor i Kosovës, me të cilin duhet shikuar gjetur rrugë bashkëpunimi, me respektim të ndërsjellë.
klankosova.tv
●●●
KKSHKRIMI NGA
Klan Kosova
Editorial nga Klan Kosova — ndjek kolumne dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.