Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, priti në takim Diana Kastratin nga Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët, qendër kjo e krijuar së fundmi, që njëkohësisht është institucioni i parë në historinë e shtetit shqiptar me fokus ekskluziv studimet e specializuara që ngërthejnë gjithë universin kulturor, historik, letrar, social dhe antropologjik të komunitetit arbëresh, si një trashëgimi unike kulturore në mbarë botën, thuhet në njoftimin e MKRS-së.
Dumoshi e njoftoi Kastratin se nuk mungon interesimi dhe aktivitetet bashkëpunuese me arbëreshët.
“Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Shota” si institucion vartës i Ministrisë së Kulturës në raportuarin e saj ka vallen arbëreshe, të cilën e prezanton në ngjarje të ndryshme kulturore të shoqëruar me veshjen arbëreshe” , tha Dumoshi.
Ndërkaq Kastrati tha se fokusi i kësaj qendre është tek arbëreshët e Italisë së Jugut dhe të Zarës së Kroacisë dhe ka për synim sensibilizimin e popullatës nëpërmjet studimeve të ndryshme që ngërthejnë gjithë universin kulturor, historik, letrar e social të komunitetit arbëresh, si një trashëgimi e veçantë kulturore.
“Vizita ime në Prishtinë ka për qëllim vënien e kontakteve me institucionet kryesore, siç janë Akademia e Shkencave, Biblioteka Kombëtare, Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve të Trashëgimisë Kulturore etj., për të bërë marrëveshje bashkëpunimi sa i përket prodhimtarisë së kulturës arbëreshe”, tha Kastrati.
●●●
LGSHKRIMI NGA
L. Ga.
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.