Lajmet e fundit

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, zbulon se dëshironte të evitonte Zvicrën, ndërsa ëndërronte që Shqipëria të luante ndeshjen hapëse të evenimentit ndaj Francës.
“Të gjitha skuadrat e Europianit janë shumë të mira dhe shumë të forta dhe nuk mund të thuash me këtë apo atë kundërshtar do ta kemi më të lehtë. Realisht nuk do ta dëshiroja ndeshjen e parë me Zvicrën, por pak më vonë”.
“Do më pëlqente më tepër përplasja e parë me Francën, ndërsa me Zvicrën do të jetë një betejë e hapur. Por, ky është shorti, ne do të përgatitemi të bëjmë më të mirën për ta kaluar grupin”.
“Personalisht ishte shumë i kënaqur që shihja vajzën me flamurin e Shqipërisë që kërcente në skenë, por që Shqipëria është mes më të mirëve të Europës. Por, nuk mund të kënaqemi me kaq. Janë të gjitha skuadra që mund të humbësh apo të fitosh. Po ti zgjidhja me dorë, ndoshta do të preferoja një ekip tjetër, jo Zvicrën”.
Megjithatë, optimizmi dhe entuziazmi për përfaqësimin e parë historik të Shqipërisë në një eveniment madhor nuk mungon.
“Në futboll nuk ka të pamundur, pasi futbolli nuk është shkencë ekzakte. Rumania nuk ka emra të mëdhenj? Në finale nuk shkojnë vetëm ekipet që kanë emra, por ata që japin shpirtin. Lojtarët që na sollën deri këtu, duhet ta shijojnë maksimalisht, por me lojë të mira dhe rezultate”.
Presidenti Duka mbeti i balancuar edhe për sa i takon objektivave të Shqipërisë në Euro 2016.
“Sa pikë? Në letër Franca duket ekipi më i mirë, vjen nga vazo e parë dhe luan në shtëpi. Megjithatë, asnjë ndeshje nuk do të jetë e lehtë. Franca besoj se do të kualifikohet, të tjerat mund të luftojnë”.
Intervistë e Armando Dukës në SuperSport.