Lajmet e fundit

Superliga e Kosovës në futboll vazhdon me ndeshje edhe nga java e dytë kampionale, pas një jave të parë tejet interesante dhe atraktive që solli edhe rezultate të shumta befasuese.
Dy ndeshje luhen të shtunën dhe që të dyja ato do të nisin në ora 17:00 dhe do të transmetohen direct dhe ekskluzivisht në Artmotion.
Drita – Llapi padyshim do jetë ndeshja e cila do të marrë më shumë vëmendje dhe si e tillë do të transmetohet në Art Sport 1 nën komentimin e Emanuell Sylës.
Kjo përballje do të zhvillohet në Stadiumin e Qytetit në Gjilan teksa të dy skuadrat do të bëjnë më të mirën e tyre për ta fituar këtë ndeshje. Drita ka fituar ndeshjen e parë 2-1 me Feronikelin kurse nga ana tjetër Llapi barazonte 1-1 me Ulpianën e inkuadruar në elitë.
Art Sport 2 nga ana tjetër është rezervuar për ndeshjen mes dy skuadrave që janë inkuadruar këtë edicion në Superligë, Ulpianës dhe Malishevës. Për shkak se stadiumi i qytetit të Lipjanit nuk është në gjendje të mirë ndeshja do të luhet në Therandë dhe do të komentohet nga Arbon Flugaj.
Që të dyja këto skuadra do synojnë ta arrijnë fitoren e parë të sezonit, pasi vetëm minutat shtesë i ndanë nga tre pikëshat e plotë në javën e parë kundër dy skuadrave të mëdha si Llapi dhe Prishtina.