3-vjeçari Diego Gashi u mor nga QKUK-ja më 9 qershor të 2025-ës dhe u dërgua në Francë me një autoambulancë.
Babai i tij, Gjoni pretendon se fëmija i tij ishte viktimë e trafikimit njerëzor, për çka edhe ka bërë kallëzim penal ndaj dy personave, raporton Kiks Kosova.
Ndonëse nuk kishte asnjë plan e asnjë dokument se ku do të hospitalizohej 3-vjeçari i diagnostikuar me Encifalit Autoimun, Klinika e Pediatrisë e liroi atë.
Në një intervistë për Kiks Kosovën, tashmë ish-ushtruesi i detyrës së drejtorit të QKUK-së, Osman Hajdari (sqarim: Hajdari është shkarkuar nga detyra më 1 gusht, teksa emisioni është realizuar pak ditë më parë. Për emisionin, ai ka folur në cilësinë e U.D. Drejtorit të QKUK-së), ka thënë se nuk do të ketë mëshirë në qoftë se vërtetohet se ndonjëri nga mjekët e këtij institucioni ka gisht në këtë rast.
Për të sqaruar rrethanat se si Diego Gashi është lëshuar nga Klinika e Pediatrisë dhe nga aty u nis për në Francë, Kiksi ka kërkuar intervistë me drejtoreshën e kësaj klinike, Violeta Grajçevci – Uka.
Nga kjo klinikë e referuan emisionin që të kontaktojë me dy mjekët e rastit, Petrit Gjakën dhe Haki Jasharin. Pediatri Petrit Gjaka refuzoi që të prononcohet për këtë rast, me arsyetimin se 3-vjeçari nuk ka qenë duke u trajtuar tek ai kur është nisur për në Francë. Ndërkaq, numri kontaktues i pediatrit tjetër, Haki Jashari, të cilin QKUK-ja ia përcjelli Kiksit, figuronte inekzistent.
Ai nuk iu përgjigj thirrjeve të Kiksit as në numrat e tjerë të kontaktit që siguroi emisioni. /Klankosova.tv
https://youtu.be/KLOQcM-jCV4
●●●
BTSHKRIMI NGA
Bleona Thaqi
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.