Lajmet e fundit

Presidenti i Republika Sërpskas (RS) të Bosnje e Hercegovinës, Millorad Dodik tha sot se entiteti të cilin e drejton kurrë nuk e ka kundërshtuar sovranitetin dhe integritetin territorial të BeH në përputhje me Marrëveshjen e Dejtonit dhe se shkëputja nuk ka qenë kurrë politikë e atij entiteti.
Një ditë pas vizitës së drejtorit të CIA-s, William Burns në Sarajevë, ai shkroi në profilin e tij X se “megjithatë, Republika Sërpska ka të drejtën e një lufte politike për statusin e saj, në përputhje me letrën e Marrëveshjes së Dejtonit”, raporton Klankosova.tv.
“BeH është një bashkim i dy njësive të barabarta dhe tre popujve përbërës, prandaj qëndrimi i zotit Burns se përgjegjësia për funksionimin e vendit bie mbi të gjitha komunitetet etnike është inkurajues”, tha Dodik.
Ai shtoi se lufta kundër terrorizmit është detyrim i gjithë botës së lirë dhe se RS është gjithashtu e përkushtuar ndaj kësaj lufte.
Kreu i RS-së tha gjithashtu se vizita e Burns ishte e rëndësishme.
Kujtojmë se presidenti i Republika Sërpskas, me këtë deklaratë i ka ndërruar fjalët, sepse në vitet e kaluara vazhdimisht ka përmendur mundësinë e shkëputjes së Republika Sërpska nga BeH, raporton media në gjuhën serbe “Vreme”.
Vetëm një muaj më parë, Dodiku tha se “vendimi për shkëputje është marrë, por data nuk dihet ende”.
“Ka një vendim për ndarje, por ende nuk është caktuar një datë specifike. Duhet bërë shumë analiza. Ne do të donim që tani, por përveç nesh janë edhe dy palë të tjera në proces. Kjo, natyrisht, kërkon kohë”, pati thënë Dodiku në një intervistë për agjencinë ruse të lajmeve TASS në margjinat e Forumit Ekonomik Ndërkombëtar në Shën Petersburg.
“Ne jemi të sigurt se në këtë fazë tashmë ka mjaft pjekuri historike, të përgjithshme civilizuese dhe mirëkuptim se kjo duhet dhe do të ndodhë”, kishte shtuar Dodik.
Sipas fjalëve të tij në atë kohë, qëndrimi brenda Bosnje dhe Hercegovinës për Republika Sërpskan është “sinonim i humbjes së kohës dhe mundësive”.
“Prandaj është e nevojshme që sa më shpejt të zbatohet ajo që duam, në mënyrë që të ndalojmë humbjen e burimeve duke shpresuar se Bosnja dhe Hercegovina do të bëjë diçka”, shtoi Dodiku. Në të njëjtën kohë, ai pretendonte se Republika Sërpska “absolutisht” nuk dëshiron të krijojë “paqëndrueshmëri”. /Klankosova.tv