Lajmet e fundit

Ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius dëshiron të vazhdojë angazhimin e Gjermanisë në Bosnje-Hercegovinë.
“Ne duam të mbështesim Bosnjën dhe Hercegovinën në mënyrën më të mirë të mundshme dhe të parandalojmë Rusinë që të abuzojë me një pikë tjetër problematike, një hapësirë tjetër potencialisht destabilizuese, në mënyrë që të zgjerojë ndikimin e saj me supozimin ose me shpresën se do të jetë në gjendje të destabilizojë Perëndimin në ndonjë mënyrë”, tha politikani i SPD-së të martën në kryeqytetin boshnjak Sarajevë në një takim me homologun e tij Zukan Helez.
Pistorius inkurajoi Bosnjën të bëjë përpjekje të mëtejshme reformuese në rrugën drejt BE-së dhe NATO-s.
Pistorius e hodhi poshtë qartë retorikën e shkëputjes nga përfaqësuesit kryesorë të Republikës Serbe të Bosnjës ("Republika Srpska") duke thënë se “nuk mund të vallëzohet në dy dasma”.
Ai tha se Gjermania është e shqetësuar për tensionet në Ballkan, teksa shtoi se “i gjithë Ballkani Perëndimor ka një rëndësi të madhe për sigurinë dhe stabilitetin në Evropë”.
Helez tha se Bosnja dhe Hercegovina nuk do ta pranonte kurrë një shkëputje të tillë, por ndjeu destabilizimin. “Këto janë ëndrra që nuk do të realizohen kurrë”, tha ai. Kur u pyet, ai gjithashtu e bëri të qartë se NATO duhet të garantojë përfundimisht stabilitetin e vendit.
160 ushtarë për misionin e KFOR-it
Pistorius udhëtoi në Ballkan këtë javë për një vizitë shumë-ditore. Të hënën, politikani i SPD-së zbarkoi në Prishtinë, ku zhvilloi bisedime me përfaqësuesit e qeverisë dhe ushtarët gjermanë të forcës mbrojtëse të NATO-s, KFOR.
Siç raporton dpa, në sfondin e një situate të përkeqësuar të sigurisë në Kosovë, Bundeswehri do të shtojë përfshirjen e tij në KFOR.
Aktualisht kontingjenti gjerman në KFOR numëron 90 ushtarë. Në maj, do të jenë gjithsej 250.
“Bëhet fjalë për një angazhim të qartë”, tha Pistorius pas mbërritjes në kryeqytetin e Kosovës. Ai shtoi se Gjermania është e përkushtuar për sigurinë dhe integritetin territorial të Kosovës. Përveç kësaj, ajo dëshiron të marrë përgjegjësi në rajon.
Dpa shkruan se planet e Ministrisë gjermane të Mbrojtjes janë të dërgojë një kompani sigurie prej 90 vetash dhe rreth 70 forca të tjera mbështetëse. Kompania e këmbësorisë do të jetë në varësi të Komandës Rajonale Lindore të udhëhequr nga SHBA.
Tensionet në Ballkan
Disa nga rreth 90 ushtarët gjermanë të dislokuar aktualisht në Kosovë janë në gjendje të përmbushin misionet e tyre vetëm deri në një pikë të caktuar. Për shkak të situatës së tensionuar, NATO prej kohësh ka kufizuar aktivitetet e saj këshilluese për Forcat e Sigurisë të Kosovës në aktivitete rutinë.
“Projektet me ndikim të jashtëm të veçantë publik” madje do të mbeten plotësisht të pezulluara, sipas një raporti të brendshëm të Bundeswehr-it, siç raporton “Der Spiegel”. Megjithatë, patrullimet vazhdojnë të bëhen para objekteve administrative në veri dhe në kufirin me Serbinë.
Tensionet e vazhdueshme në Ballkan arritën kulmin në shtator të vitit të kaluar, kur një skuadër komando serbe prej 30 trupash, të armatosur rëndë, zhvilloi luftime me policinë e Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit. Tre sulmues serbë dhe një polic kosovar u vranë. Gjatë fundjavës, BE kritikoi operacionet e policisë speciale të Kosovës kundër objekteve të strukturave paralele serbe. /Klankosova.tv