Lajmet e fundit

Në prag të ndryshimeve kushtetuese që klasa politike po bën si pjesë e reformës në sistemin e Drejtësisë, politikani dhe avokati Spartak Ngjela boton 5 ide, 5 leksione që i dedikohen konstitucionalizmit. Janë në fakt leksione që ai ka dhënë në vitet 2007-2008 si lektor në Universitetin Europian të Tiranës, që vijnë të botuara me një libër nga UET-Press. “Pesë leksione për konstitucionalizmin” u promovua dje në UET, ku Ngjela në një apel për zëdhënësit e drejtësisë, gjyqtarët, (disa prej tyre të pranishëm në sallë) tha se duhet të tentojnë që t’i shërbejnë shoqërisë pavarësisht se shoqëria shqiptare nuk e ka akoma kulturën e demokracisë dhe të drejtësisë.
“Konstitucionalizmi është kulturë, para së gjithash. A e kemi ne kulturën e drejtësisë? A do t’i shërbejmë ne shoqërisë sonë në këtë formë? Sigurisht nuk them që të shkojmë në nivelin e Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara. Por a do tentojmë? Këtë thotë ky libër: tentoni!”. Ky ishte “leksioni” nr.6 i Ngjelës për gjyqtarët, ndërsa libri trajton marrëdhëniet e konstitucionalizmit me demokracinë dhe konstitucionalizmin si kontratë sociale.
Gjyqtari Kristaq Traja i cili ka marrë përsipër dhe shkrimin e parathënies, e ka cilësuar këtë libër si një këndvështrim personal të Ngjelës për historinë e konstitucionalizmit, ai pranoi se këto leksione janë një filozofi e konstitucionalizmit, janë në një farë mënyre parimet mbi të cilat duhet të mbështetet drejtësia. Kolegu i tij Prof. Dr. Ksenofon Krisafi gjeti rastin të fliste për natyrën rebele të Ngjelës që kur ishte student dhe e cilësoi librin “një letërsi të jurisprudencës”, duke pasur parasysh stilin e të shkruarit të autorit.
Drejtësia nuk është vetëm ligji
Spartak Ngjela theksoi se drejtësinë e vërtetë e dallon princimi etik dhe moral, jo vetëm zbatimi i thjeshtë i ligjit. “Ka diçka tjetër që më duhet të them në këtë pikë. 2700 vite më parë Hesiodi tha: Nuk është ligji kryesori. Ligje kanë edhe kafshët, sipas së cilave rregullojnë bashkëjetesën në grupe. Ajo që na ndan nga kafshët është principi etik i drejtësisë. Kjo është arsyeja që gjykata është kaq e fortë. Pastaj pyetja, a sjell apo nuk sjell drejtësi, është një çështje që i takon shoqërisë ta zgjidhë. Ne i kemi sjellë atje për të dhënë drejtësi. Kjo është ndarja jonë nga qeniet e tjera. Nuk është thjesht çështje ligjesh. Çdo mazhorancë ka pasur ligje. Diktatura ka qenë mazhorancë këtu. Të mos gënjejë askënd mendja se Enver Hoxha nuk kishte mazhorancën për ligjet. Por ama, na e mori frymën me mazhorancën e tij. Pse? S’kishte konstitucionalizëm. S’kishte kush të na mbronte të drejtat”, – tha Ngjela.
Ndërsa historiani Romeo Gurakuqi e cilësoi këtë libër si një leksion për politikanët, të cilët duhet ta lexojnë e ta kenë parasysh kur bëjnë reformën në drejtësi, vetë Ngjela këmbënguli te parimet mbi të cilat duhet të ngrihet drejtësia në shërbim të individit, pakicës, dhe në këtë prizëm ai e quan librin e tij si një doktrinë të pakicës.
“Unë kam dashur të tregoj me përmbledhjen e leksioneve të mia që kjo është doktrina e pakicës. Mbrojtja dhe garantimi i të drejtave nuk është burimi i së drejtës”, – tha ai.
Ngjela shtoi se Shqipërisë i mungon kultura e demokracisë dhe tradita e të drejtës konstitucionale. “Për sa i përket problemit të drejtësisë, duhet të mësojmë nga të gjithë, sepse nuk funksionon mekanizmi i ‘justice’ në Shqipëri. Ne duhet ta kthejmë në nivele normale këtë mekanizëm, brenda atij parimi që përmenda në fillim: nuk është thjesht ligji, është parimi etik i drejtësisë! Kjo na ka munguar. Në këtë kuadër të përpjekjes mendoj se kam realizuar diçka, jam munduar ta thjeshtëzoj kontratën shoqërore, të cilën ne e kemi pasur gjëmë këtu si koncepti i lindjes së shtetit. E kam sjellë në një formë më të thjeshtë e më moderne për ta kuptuar që ajo ekziston”, – shtoi ai.
Leksione për studentët…dhe politikanët
Prof. Dr. Romeo Gurakuqi tha se ky libër në pamje të parë është një përmbledhje leksionesh në dobi të studentëve të jurisprudencës, por në fakt, sipas tij janë leksione të vlefshme dhe për klasën politike shqiptare. “Në këtë libër ka teori të vlefshme se si mund të konceptohet reforma në drejtësi”, – tha Gurakuqi duke e cilësuar Ngjelën si “idealistin që e kemi mes nesh”.
Libri, siç duket dhe nga titulli, i është dedikuar jurisprudencës dhe trajtohet në formë leksionesh, pesë të tillë, konstitucionalizmi. Leksioni i parë shpjegon konstitucionalizmin si filozofi e demokracisë, marrëdhënien me liberalizmin dhe demokracinë, leksioni i dytë prek marrëdhënien me shoqërinë, “Kushtetuta e parë si kontratë shoqërore”, leksioni i tretë trajton “konstitucionalizmin e parë si proceduralizëm”.
Në pjesën e dytë të librit, që përkon me leksionin e katërt, trajtohen Konceptet e Konstitucionalizmit, ndërsa pjesa e tretë që është dhe leksioni i pestë, ndahet në disa pjesë: “Konstitucionalizmi: Filozofia e unitetit shoqëror; Konstitucionalizmi: shoqëria si një e tërë, dhe individi si një pjesë e saj dhe katër elementet qendrore të konstitucionalizmit.
Kristaq Traja: Një lexim personal i historisë konstitucionale
“Mos prisni arsyetime pedante, përkundrazi, do të gjeni një ngjeshje idesh e parashtrimesh origjinale. Avokati ka aftësinë të ringjallë dhe ide që dikush mund t’i quajë të vdekura, ose aty afër. Mund të mos jeni dakord me të, por nuk mund të mos ngacmoheni nga drita e fortë që ai hedh mbi vendet e errëta të filozofisë konstitucionaliste. Edhe një temë e stërdëgjuar, siç është p.sh: teoria e kontratës sociale, tek ai merr kumbim tjetër. Avokati nuk mund dhe nuk duhet kuptuar lehtë; ja p.sh: teoria e kontratës sociale si bazë e konstitucionalizmit nuk duhet marrë sikur njerëzit janë bashkuar dhe marrë vesh mes tyre për të firmosur një pakt, ku përcaktojnë të drejtat dhe liritë e tyre, nga njëra anë dhe kufizimet e pushtetit shtetëror, nga ana tjetër”. Kështu e nis parathënien e tij për këtë libër Kristaq Traja, anëtar i Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, Këshilli i Europës, Strasburg, 1998-2008 dhe një nga anëtarët e Komisionit për hartimin e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Ndërsa gjatë promovimit Traja rezervoi dhe një kompliment për tia thënë avokatit në sy. “Një yll që shkëlqen në errësirë”, tha Traja duke folur për teoritë e guximshme të Ngjelës. Ai e cilëson librin e Ngjelës si një letërsi juridike. “Kjo nuk është kontratë civile, siç mund ta kuptojnë juristët e degëve të ngushta të së Drejtës. Ky është një fiksion juridiko-politik nga më të mëdhenjtë e më të mistershmit”, shkruan ai në parathënie, duke e cilësuar librin e avokat Ngjelës një lexim personal i historisë konstitucionale.