Lajmet e fundit

Tubacionet Nord Stream u shkatërruan nga diversantë ukrainas, të cilëve iu tha të anulonin planin nga Volodymyr Zelensky, por ata e shpërthyen atë gjithsesi, raportuan mediat amerikane të enjten.
Komploti 300,000 dollarësh u sajua nga operativët gjatë një nate me shumë alkool dhe ishte më pak i sofistikuar sesa thanë disa raporte të mëparshme, sipas “The Wall Street Journal” (WSJ), shkruan "The Telegraph".
Ai përfshinte marrjen me qira të një jahti të vogël me një ekuipazh prej gjashtë zhytësish, me identitet të fshehtë si pushues, të cilët shpërthyen tubacionet, që synonin të transportonin gazin rus në Gjermani, me sasi të vogla të lëndës shpërthyese HMX, transmeton Klankosova.tv.
Zelensky, presidenti ukrainas, pretendohet se fillimisht aprovoi sulmin sabotues në lindje të ishullit danez të Bornholm në Detin Baltik, por më pas e anuloi pasi u vu nën presionin e CIA-s.
Ekipi, i mbikëqyrur nga komandanti i përgjithshëm i atëhershëm i Zelenskyt, Valeriy Zaluzhniy, e nisi sulmin gjithsesi, raportoi WSJ.
Gjenerali Zaluzhniy raportohet se i ka thënë Zelenskyt se, pasi u dërgua, ekipi nuk kishte më komunikim dhe nuk mund të anulohej sepse çdo kontakt me ta mund të komprometonte operacionin.
I gjithë komunikimi në lidhje me komplotin është kryer verbalisht për të shmangur lënien e gjurmëve në letër, sipas gazetës.
“Unë gjithmonë qesh kur lexoj spekulime mediatike për një operacion të madh që përfshin shërbimet sekrete, nëndetëset, dronët dhe satelitët”, tha një oficer i përfshirë në komplot për WSJ.
“E gjithë kjo lindi nga një natë me shumë alkool dhe vendosmëria e hekurt e një grushti njerëzish që kishin guximin të rrezikonin jetën e tyre për vendin e tyre”.
Ndërsa zyrtarët ukrainas mohuan me forcë detajet e raportit, ai bazohej në katër burime ukrainase që ose morën pjesë në komplot ose kishin njohuri të drejtpërdrejta për të.
Gjenerali Zaluzhniy, i cili tani është ambasadori ukrainas në Britani, mohoi çdo njohuri për komplotin kur iu kërkua të komentonte nga gazeta amerikane, duke e hedhur poshtë atë si “thjesht provokim”.
Një zëdhënës i Zelenskyt ka mohuar gjithashtu pretendimet.
Një zyrtar i lartë nga shërbimi kryesor i inteligjencës i Ukrainës, SBU, mohoi gjithashtu çdo njohuri për komplotin. Ata theksuan se Zelensky “nuk e miratoi zbatimin e ndonjë veprimi të tillë në territorin e vendeve të treta dhe nuk lëshoi urdhra përkatës”.
Sulmi, i cili shkatërroi tre nga katër tubacionet Nord Stream 1 dhe 2, ndodhi në shtator 2022, disa muaj pas invadimit rus të Ukrainës dhe përkeqësoi një krizë energjetike të shkaktuar nga lufta.
Rusia fillimisht u fajësua për sulmin, por një raport nga “The New York Times” më vonë citoi prova që thoshin se ai ishte nisur nga një grup pro-ukrainas.
Këtë javë, doli se autoritetet gjermane lëshuan një urdhër arresti në qershor për një ukrainas të dyshuar për pjesëmarrje në sulm, vendndodhja e të cilit aktualisht nuk dihet.
Sipas WSJ, komplotistët fillimisht hartuan një plan të përpunuar për të hedhur në erë Nord Stream i cili u la në sirtar pasi ishte shumë i shtrenjtë dhe i kushtueshëm.
Në vend të kësaj, ata vendosën të përdornin një jaht të vogël të maskuar si një varkë kënaqësie dhe një ekuipazhi të vogël prej gjashtë vetash për të shmangur ngritjen e dyshimeve.
Një zhytëse profesioniste në të 30-at iu shtua ekuipazhit për të forcuar imazhin e tyre si një grup turistësh, tha gazeta. /Klankosova.tv