Lajmet e fundit

Kandidati për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj ka thënë se dyshimet për manipulim votash i kishte ngritur edhe në zgjedhjet e 9 shkurtit të vitit të kaluar.
Ai në një postim në Facebook shkruan se pas kërkesës për rinumërim ishin injoruar.
“Në atë kohë bashkë me disa kolegë ish deputet, kërkuam rinumërim të përgjithshëm të votave por përgjigja që morëm, u INJORUAM totalisht nga të gjithë.Nga injorimi institucional nga KQZ si dhe na mungesa e vullnetit të të gjitha subjekteve politike për ta zbardhur të vërtetên, komisionerët morên guxim dhe e përsëritën të njëjtën situatë në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025”.
“E them me bindje, se ajo çka po vërtetohet në komunën e Prizrenit, nuk është rast i izoluar por një dukuri që ka ndodhur në gjithë Kosovën”, shkruan Selmanaj.
Sipas tij edhe në shkurt edhe tani rinumërimi i të gjitha kutive ka qenë dhe është i domosdoshëm.
“Rinumërimi në Prizren, po nxjerrë të dhëna tejet shqetësuese, ku të gjithë kandidatëve të të gjitha partive politike pa përjashtim i janë prekur apo ndryshuar votat. Disa me dallime shumë të mëdha e disa më të vogla, por asnjë nuk i ka shpëtuar abuzimit apo ndryshimit të vullnetit qytetar”, shtoi ai.
Kandidati për deputet në zgjedhjet e 28 dhjetorit thekson më tej se ky fakt, sipas tij nxjerrë dyshime për skenarë të mirë " për abuzim masiv të votave për të gjithë kandidatët".
“Fatkeqësisht këtij skenari nuk i ka shpëtuar as lista e kandidatëve të LDK-së, përfshirë dhe mua si kandidatë për deputet”.
“Unë si kandidat për deputet dhe si kryetar i Degës së LDK-së në Prizren distancohem tërësisht nga kushdo që ka marrë guximin të tjetërsoj vullnetin e qytetarëve të komunës sonë.Kemi dyshimet tona që ky skenar ka qenë i mirë organizuar dhe ka përshirë të gjithë kandidatët dhe të gjitha partitë politike për ta balancuar dhe shpërndarë abuzimin tek të gjithë, në mënyrë që të mos identifikohet lehtë si problem”, deklaroi Selmanaj, transmeton Klankosova.tv.
Në procesin e rinumërimit të votave që është ende duke vazhduar, atij i janë përshkruar rrejshëm rreth 900 vota.