Lajmet e fundit

Disa nga të emëruarit e kabinetit të Donald Trump për administratën e tij të ardhshme kanë qenë shënjestër e kërcënimeve me bombë, thotë FBI.
Në deklarimin e FBI-së thuhet se kishin marrë informacione për disa kërcënime me bombë, si dhe për pasojat që mund të sjellin, duke shtuar se këto i kishin shtyrë që të përgjigjeshin me intervenime.
Republikania e New Yorkut, Elise Stefanik, të cilën Trump e ka emëruar si ambasadoren e ShBA-së në Kombet e Bashkuara, ishte e para që tha se shtëpia e saj ishte shënjestër e një kërcënimi me bombë.
Policia po heton ngjarjet e ndodhura mbrëmjen e së martës dhe mëngjesin e së mërkurës. Karoline Leavitt, një zëdhënëse e ekipit të Trump, tha se disa njerëz ishin shënjestër dhe se "policia veproi shpejt për të garantuar" sigurinë e tyre.
As Leavitt dhe as FBI nuk treguan emrat e asnjërit prej objektivave. Por zyra e Stefanik tha se kongresmenja u informua për kërcënimin me bombë ndërsa po udhëtonte me bashkëshortin dhe djalin e saj trevjeçar nga Washingtoni në New York për Ditën e Falënderimeve.
Policia e New Yorkut i tha më vonë CBS-së se gjithashtu ishte kërcënuar edhe i emëruari nga Trump si sekretar i Tregtisë, Howard Lutnick.
Lee Zeldin, të cilin Trump e ka emëruar për t'u bërë drejtues i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit, konfirmoi gjithashtu se ai ishte në shënjestër, duke thënë se një "kërcënim me bombë" u dërgua në shtëpinë e tij me një "mesazh me temë pro-palestineze".
“Unë dhe familja ime nuk ishim në shtëpi në atë moment dhe jemi të sigurt”, tha ai.
"Ne jemi mirënjohës për veprimet e shpejta të ndërmarra nga oficerët lokalë."
Republikani nga Florida, Matt Gaetz, i cili kohët e fundit u largua nga kandidimi për t'u bërë prokuror i përgjithshëm i ShBA-së, ishte gjithashtu në shënjestër.
Zyra e sherifit në Okaloosa të Floridas konfirmoi se një kërcënim me bombë synonte një adresë në qytetin e Niceville.
Kutia postare e shtëpisë u pastrua dhe nuk u gjet asnjë pajisje, tha policia, dhe një kontroll i zonës nuk zbuloi asgjë.
Fox News raporton gjithashtu se John Ratcliffe, i emëruari i Trump për të qenë drejtor i CIA-s dhe kandidati për sekretarin e Mbrojtjes, Pete Hegseth, ishin gjithashtu në shënjestër të valës së kërcënimeve.