Një 24-vjeçar është arrestuar në Dimal të Shqipërisë, i cili dyshohet se ndezi zjarr ku banonte dhe si pasojë u dogj një sipërfaqe toke e mbjellë me 600 rrënjë ulliri.
24-vjeçari dyshohet se ka ndezur zjarr për të djegur disa mbeturina në fshatin Krotinë, përcjell Klankosova.tv.
“Si rezultat i hetimeve dhe veprimeve operacionale, të kryera me qëllim identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorëve të zjarrvënieve të qëllimshme apo nga pakujdesia, Stacioni i Policisë Dimal identifikoi dhe arrestoi shtetasin R. H., 24 vjeç, banues në fshatin Krotinë, Dimal. 24-vjeçari dyshohet se ka ndezur zjarr për të djegur disa mbeturina në fshatin Krotinë. Si pasojë e përhapjes së flakëve, është djegur një sipërfaqe toke e mbjellë me 600 rrënjë ulliri, në pronësi të disa shtetasve të tjerë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.
●●●
AHSHKRIMI NGA
Albina Haxholli
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.