Lajmet e fundit

Vepra artistike e Leutrim Fishekqiut “Po t’shoh”, e cila është krijuar në kuadër të projektit kulturor të zyrës së Bashkimit Europian – Culture for all, është përuruar në qytetin e Prizrenit.
Skulptura e cila përmes metaforës me kamera synon vetëdijesimin lidhur me veprimet dhe sjelljet publike, është implementauar nga Alarm Design Studio.
Në komunikatën e kësaj kompanie dizajni, thuhet se “Po t’shoh”, është vepër e artit urgjent, i cili nuk ka për qëllim që të incizojë e të cenojë privatësinë e njerëzve. Kamerat e vendosura në skulpturë do ta ndriçojnë hapësirën vetëm atëherë kur do të ketë lëvizje në afërsi të saj.
Mesazhi të cilin e përcjell kjo vepër arti është që njerëzit duhet të jenë të vetëdijshëm për hapësirat publike edhe atëherë kur nuk i sheh askush.
Artisti Fishekqiu, ka thënë se ideja për ta bërë këtë skulpturë i ka ardhur nga fakti se shoqëria kosovare ende ka nevojë për vetëdijesim sa i përket mbrojtjes së natyrës.