Lajmet e fundit

Trajneri i Atletico Madrid, Diego Simeone nuk dëshiron të ndryshojë ambjent dhe këtë e bën të qartë edhe në një intervistë për mediat spanjolle. Emri i tij lakohet në ambjentet e Chelseat, por argjentinasi ndihet i lumtur në Madrid ku ndihet pjesë e familjes “Los Colchoneros”.
“Askush këtu nuk është i madh se vetë klubi. Ndihem i vlerësuar dhe i respektuar. Gjëja më e vështirë në këtë profesion është përsëritja e sukseseve dhe qëndrimi në majë. Gjithashtu mendoj se në futboll është shumë e vështirë të gjesh një skuadër ku dëshiron të qëndrosh. Godin dhe Juanfran e kanë bërë të ditur se nuk dëshirojnë të largohen, ndërsa Gabi vazhdon të dhurojë ndeshje pozitive. Fernando Torres u rikthye, ndërsa Griezmann është pjesë e familjes tonë. Më shumë se një ekip, ne jemi një familje e bashkuar”.
Në vijim, Simeone përqëndrohet te sfidat e vështira të viteve të fundit ku skuadrës së tij i është dashur të ndeshet me disa nga ekipet më të forta të planetit.
“Kam kaluar shumë momente të rëndësishme që 25 vite më parë kur nisa të luaja futboll por mendoj se edhe Atletico është një nga klubet më të mira të botës. Dikush mund të kërkojë që të luajmë si Barcelona por ne nuk jemi Barcelona dhe nuk do të jemi asnjëherë”.
Aktualisht, Atletico Madrid kryeson La Ligan me 35 pikë, po aq sa Barcelona duhet të luajë edhe një sfidë tjetër./Supersport