Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë ka thënë se ngritja e çmimit të çimentos është goditje e rëndë për sektorin e ndërtimtarisë.
Kjo dhomë vlerësoi se kjo është ngritja e tretë me radhë e çmimit që po bëhet brenda këtij viti, njofton Klan Kosova.
“Sipas përfaqësuesve të bizneseve ngritja e shpeshtë e çmimit, me paralajmërime në afate tejet të shkurtëra kohore, e mungesa e arsyetimit përmbajtjesor për këto ngritje, po shkakton shumë sfida në operimin e bizneseve të sektorit të prodhuesve të betonit si dhe në përmbushjen e kontratave që këta të fundit kanë me klientët e bashkëpunëtorët. Gjithashtu kjo po ndikon edhe në humbje të mëdha që po u shkaktohen këtyre bizneseve dhe si rrjedhojë ndikon edhe largimin e punëtorëve. Nga njoftimet e pranuara nga bizneset për ndryshim të çmimit nga ana e kompanisë Sharr-Cem, konsiderohet që fakor të jetë rritja e çmimit të energjisë elektrike, e cila nga ana e prodhuesve të betonit gjithashtu konsiderohet si argument i pamjaftueshëm dhe i papranueshëm për një rritje kaq të madhe”.
Më poshtë mund ta lexoni komunikatën e plotë:
Ngritja enorme e çmimit të çimentos dhe efekti i saj tek bizneset e sektorit të prodhuesve të betonit e gjithashtu tek sektori i ndërtimtarisë, ishte tema kryesore e diskutimit në takimin e realizuar ndërmjet Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë dhe bizneseve anëtare me Ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.
Ngritja e sërishme të çmimit të çimentos për +17.81€/T (duke përfshirë TVSH-në) që ka hyrë në fuqi nga data 08.08.2022, apo 58.27% brenda këtij viti, është ngritja e tretë e çmimit të çimentos në vitin 2022, arsye kjo e cila bëri që të reagojnë përfaqësuesit e sektorit të prodhuesve të betonit në kuadër të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë.
Dhoma e Tregtisë, vlerësoi që kjo është ngritja e tretë me radhë e çmimit që po bëhet brenda këtij viti, gjë e cila po paraqet një ngritje prej 58.27% krahasuar me atë të fillimit të këtij viti, prandaj kërkoi nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë e Tregtisë që të ndërmerren masa të menjëhershme për tejkalimin e kësaj situate të krijuar, ashtu që të mos ketë pasoja negative tek bizneset dhe ekonomia vendore.
Sipas përfaqësuesve të bizneseve ngritja e shpeshtë e çmimit, me paralajmërime në afate tejet të shkurtëra kohore, e mungesa e arsyetimit përmbajtjesor për këto ngritje, po shkakton shumë sfida në operimin e bizneseve të sektorit të prodhuesve të betonit si dhe në përmbushjen e kontratave që këta të fundit kanë me klientët e bashkëpunëtorët. Gjithashtu kjo po ndikon edhe në humbje të mëdha që po u shkaktohen këtyre bizneseve dhe si rrjedhojë ndikon edhe largimin e punëtorëve. Nga njoftimet e pranuara nga bizneset për ndryshim të çmimit nga ana e kompanisë Sharr-Cem, konsiderohet që fakor të jetë rritja e çmimit të energjisë elektrike, e cila nga ana e prodhuesve të betonit gjithashtu konsiderohet si argument i pamjaftueshëm dhe i papranueshëm për një rritje kaq të madhe.
Ministrja Hajdari falënderoi për takimin dhe shprehu gatishmëri për trajtimin e rastit. Gjithashtu theksoi që ky takim ishte mëse i nevojshëm në mënyrë që të marrë informata më konkrete për këtë problematikë me të cilën bizneset po ballafaqohen, duke shtuar që do ta trajtojë dhe do të bëjë përpjekje që t’i dal në ndihmë këtij sektori.
klankosova.tv
●●●
HSHKRIMI NGA
H.S
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.