Lajmet e fundit

Studimet në universitet janë fillimi i një faze të re jetësore, krejtësisht ndryshe nga më herët.
Tranzicioni nga jeta si një nxënës i shkollës së mesme në jetën studentore i shton obligimet dhe përgjegjësitë dhe u krijon një jetë më të pavarur. Ju do të jetoni larg nga shtëpia juaj dhe iu duhet të filloni ta planifikoni vetë jetën dhe të mendoni si ta menaxhoni atë sa më mirë.
Fillimi është më i vështirë për studentët e vitit të parë apo, siç njihen, brucoshat. Andaj, është e domosdoshme që të merren parasysh disa gjëra para se të fillojë viti akademik.
Më poshtë gjeni dhjetë këshilla që duhet t’i dijë patjetër secili që i fillon studimet.
Filloni studimet “me këmbë të djathtë”
Adaptimi në jetën studentore mund të jetë i vështirë në fillim. Madje, kjo vlen edhe për metodat e mësimit. Mundohuni t’u rrini gati leximit të mësimeve në universitet. Kapni hapin që nga dita e parë dhe nuk do të keni problem që t’i përvetësoni të gjitha lëndët.
Planifikoni buxhetin
Tashmë duhet të bëni një planifikim buxhetor për shpenzimet që do t’i bëni për kohën sa jeni duke studiuar. Kursimi është një nga gjërat kryesore që duhet të bëjë studenti gjatë kësaj periudhe.
Bagazhe, sa më pak
Ju do t’i pastroni vetë rrobat tuaja ose do t’i bartni me valixhe kur të udhëtoni në vikend për në shtëpi. Sa më shumë rroba që të merrni me vete, aq më e vështirë do të jetë që t’u rrini gati atyre.
Krijoni miqësi me cimerët
Shokët e dhomës do të jenë “familja e dytë” për juve gjatë kohës së studimeve. Ju do ta kaloni shumicën e kohës së bashku me ta, andaj harmonia mes juve do të jetë faktor i rëndësishëm edhe në gjendjen tuaj psikologjike.
Merruni me aktivitete që iu largojnë nga stresi i studimeve
Ekzistojnë shumë gjëra me të cilat mund ta largoni stresin e studimeve. Dilni për vrapim në park, ushtroni rregullisht ose merruni me ndonjë aktivitet që iu bën të ndjeheni mirë. Kështu ju do të rigjeneroni energji të reja për të qenë më produktiv në studim.
Ruajuni nga “fast food”
Pasi që nuk mund të hani ushqimet e nënës sikur në shtëpi, juve iu duhet të zgjedhni vetë ushqimin ditor. Kujdesuni të hani sa më shumë ushqim të shëndetshëm. Mos e teproni me ushqimet e shpejta.
Kurseni paratë duke përdorur librat elektronikë
Teknologjia sot ua mundëson që të mos harxhoni para për të blerë libra por t’i shkarkoni në mënyrë elektronike. Hulumtoni dhe gjeni materialet që i keni “online” në mënyrë që të kurseni nga blerja e tyre në librari.
Përpiloni një orar strikt
Përpiloni orarin e mësimit, argëtimit e aktiviteteve tjera me të cilat do të merreni. Mundohuni t’i përmbaheni atij maksimalisht. Koha kalon shpejt dhe nëse ju nuk e ndani atë për çdo gjë që duhet bërë, do të mbeteni mbrapa.
Mos u demoralizoni nga dështimet eventuale
Mund të mos jeni mësuar nga rënia në provim, mirëpo kjo nuk është aspak arsye që të demoralizoheni apo të futeni në depresion. Çdokush mund të përballet me momente të vështira por ato menaxhohen duke u riorganizuar dhe duke i përmirësuar gabimet që janë bërë më herët. E mira e studimeve është se juve iu ofrohen edhe afate tjera nëse eventualisht keni dështuar në ndonjërin nga provimet.
Mundohuni për të gjetur punë
Vetëfinancimi është gjëja më e kënaqshme për një student. Mundohuni të gjeni mënyra që të fitoni para. Ekzistojnë mundësi punësimi me gjysmë orari ose shfrytëzoni teknologjinë për të punuar nga apartamenti. Kjo do t’ua lehtësojë jetën studentore juve dhe poashtu edhe familjes suaj.