Lajmet e fundit

Opinionisti shqiptar, Kutfi dervishi, ka thënë se pas 32 vjetëve, Shqipëria tashmë ka hyrë në rrugën e sigurt për anëtarësim në BE, pavarësisht vonesave që mund të ndodhin.
“Në mënyrë metaforike i bie që vendi ka hyrë në një autostradë dhe pavarësisht vonesave të qëllimshme apo jo, aksidenteve që mund të ndodhin destinacioni është i sigurt dhe tani distanca dihet, janë 35 kapituj që Shqipërisë i duhet të negociojë që vendi të bëhet gati për anëtarësimin, është një maratonë e re pas 32 vjetësh pritje”, ka thënë ai.
Sipas tij, anëtarësimi në BE, ka për qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve në një mjedis me standardet e vendeve të Bashkimit Evropian.
“Qëllimi është të përmirësohet jeta e qytetarëve shqiptarë, në një mjedis me standardet e vendeve të BE-së. Është një transformim rrënjësor i vendit që ka filluar prej kohësh, por që nevojitet ritëm tjetër, Shqipëria të ketë të njëjtat kushte sikur qytetari gjerman”, ka shtuar ai.
Ai tha se vështirësitë do të jenë të shumta për shkak të kapaciteteve, por që sipas tij, duhen vepra.
“Vështirësitë do të jenë të shumta për shkak të kapaciteteve, nga fjalët te veprat kërkohet punë, s’mund të bëjmë tender për to por duhet të bëhen vetë”, ka thënë ai.
Ai tha se institucionet do të testohen, pra do të shihet se a janë të gatshme me kapacitetet që kanë, të funksionojnë si duhet.
Dervishi tha se Shqipërisë ndoshta do t’i duhen dhjetë vjet për t’u anëtarësuar plotësisht në BE.
“Një dekadë do të ishte një optimum nëse i marrim gjërat seriozisht dhe nëse nuk varet nga ne, mund të marrë edhe më shumë kohë. Uroj që vendi të mos mbetet më peng i konfliktit të tejzgjatur politik, dhe ndoshta është momenti i një renovimi të elitës politike në po atë shpejtësi dhe po atë dinamikë që e bëri edhe Kosova. Anëtarësimi në BE nuk mund të arrihet brenda një mandati të një apo dy qeverive, do të kërkojë më shumë kohë”, është shprehur ai.