Sonte në “Olimpico”, Roma dhe Interi përballen në një nga ndeshjet më të nxehta të sezonit 2025/26 në Serie A. Dy skuadrat janë në formë të mirë dhe kjo përballje pritet të jetë test i vërtetë për ambiciet e tyre në garën për kreun e tabelës.
Në historinë e kampionatit italian, Roma dhe Interi janë takuar 184 herë, me bilanc që favorizon zikaltrit: 79 fitore për Interin, 51 për Romën dhe 54 barazime. Interi ka shënuar gjithsej 299 gola, ndërsa Roma 233 – një përballje që tradicionalisht sjell spektakël e gola.
Mungesat dhe rikthimet
Te Roma mungon mbrojtësi Angelino, i cili nuk është rikuperuar plotësisht nga bronkiti. Në dyshim mbetet edhe Leon Bailey, ndërsa lajmi i mirë për trajnerin Gasperini është rikthimi i Paulo Dybalas, që pritet të jetë nga minuta e parë.
Në anën tjetër, Interi vjen pa sulmuesin Marcus Thuram, që vazhdon të ketë probleme muskulore. Megjithatë, Piotr Zielinski dhe Denzel Dumfries janë rikthyer në stërvitje dhe mund të jenë në stol si opsione gjatë ndeshjes.
Çfarë pritet sonte
Roma do të përpiqet të shfrytëzojë faktorin fushë dhe mungesat e rivalit, ndërsa Interi, pavarësisht mungesave, mbetet një skuadër me përvojë që di të menaxhojë ndeshje të mëdha. Me një stadium të mbushur plot, derbi i mbrëmjes në kryeqytet, që fillon në orën 20:45, premton intensitet, emocione dhe një duel ku fitorja ka më shumë se tre pikë në peshë.
Këtë ndeshje mund ta ndiqni në kanalet e sportit në Artmotion. /Klankosova.tv
●●●
ASHKRIMI NGA
A
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.