Herë si personazh mitologjik e herë si njeri i mirë që u rezistoi kohërave dhe rrethanave testuese, Adem Demaçi na shfaqet si personalitet me virtyte të pashembura nga ata që përcollën jetën dhe veprën e atdhetarit shqiptar.
Sikurse Demaçi, në udhëkryqin ku takohen letërsia dhe politika, është gjendur edhe Milazim Krasniqi, i cili e ka njohur për së afërmi edhe veprimtarinë e tij të përgjithshme.
Ai e kujton njeriun që sot u nda nga jeta si një shkrimtar dhe një humanist i cili gjithmonë “përtej membranës së njeriut të fortë dhe të guximshëm, ka qenë një njeri i butë, i ndershëm dhe human”.
“Jeta e tij ka qenë jotipike për shkak të vuajtjes në regjimin jugosllav. E mira është që kjo nuk ka arritur ta prishë fisnikërinë, humanitetit, njerzillëkun e tij”.
Demaçi rron edhe në kujtimet fëmijërore të Krasniqit dhe në dëshirën e tij që në të ardhmen t’i rrekej letërsisë së shkrimtarëve që i dilnin ballë pushtetit të asokohshëm. Për Krasniqin, ai ishte shndërruar tashmë në figurë mitologjike.
“Zotëri Demaçin e mbaj mend që nga fëmijëria e hershme, sepse në odën tonë romani i tij Gjarpinjtë e Gjakut lexohej kolektivisht para burrave, dhe lexohej si literaturë ilegale, por që përfaqësonte një ambient të kohës”.
“Pastaj kam studiuar letërsi, dhe duke e njohur natyrën e artit letrar, duke u marrë me problemin e shkrimtarëve disidentë, e kam kuptuar se rezistenca e tij ka qenë e lidhur shumë me idealin e tij të shkrimtarit”.
Megjithatë, ndonëse në popull kryesisht njihet për aktivitetin e tij atdhetar dhe politik, Milazim Krasniqi e përkufizon qenien e Demaçit si atë të një shkrimtari në thelb, por rreth të cilit është krijuar aktivizmi i tij politik dhe atdhedashës, gjithmonë i vetëdijshëm për peripecitë e popullit të tij.
“Në esencë ka qenë artist/shkrimtar dhe aktiviteti politik ka qenë një mbindërtim i atij vokacioni për shkak të gjendjes së vështirë të popullit të tij”.
Ishin rrethanat ato që ia kishin diktuar Demaçit këtë kahje të veprimtarisë së tij, pasi që në kushte normale, sipas Krasniqit, ai do të bëhej shkrimtar i madh meqenëse kishte talent të madh si prozator.
●●●
LSHKRIMI NGA
L
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.