Lajmet e fundit

Prokurori Nathan Quick në fjalën përfundimtare që është duke e dhënë në rastin ndaj katërshes së UÇK-së, është duke folur për strukturën dhe rolin e të akuzuarve.
Në pjesën që është duke vazhduar, ai ka folur për siç tha ‘autoritetin’ e Rexhep Selimit, si dhe të Thaçit, Veselit e Krasniqit, transmeton Klankosova.tv
“Selimi mblidhte informacione gjatë inspektimeve dhe i përcillte te Shtabi i Përgjithshëm. Ai raportonte dhe dorëzonte raporte me shkrim. Autoriteti i Selimit ilustrohet edhe më tej me emërimin e tij si kryetar i Komisionit të Shtabit, që kishte për detyrë të përcaktonte kufijtë e zonave operative. Selimi shpërndante dhe lëshonte urdhra në emër të Shtabit të Përgjithshëm. “
Ai tutje ka pretenduar se “Thaçi, Veseli dhe Krasniqi, krahas përgjegjësive të tjera, ushtronin autoritet politik të vazhdueshëm.
“Funksionet ishin në mënyrë të nevojshme dhe të qëllimshme të ndërlidhura me njëra-tjetrën.”/Klankosova.tv
Në paraqitjen e fjalëve përmbyllëse në gjyqin ndaj Thaçit dhe të tjerëve në Hagë, tani po deklarohet prokurori James Pache.
Si prokurorët paraprakë, edhe Pache u deklarua, siç shprehet ai, për “krimet e luftës” që ish-krerët e UÇK-së pretendohet se i kanë bërë, transmeton Klankosova.tv.
Ai pretendon se ish-ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë keqtrajtuar personat që ata i kishin ndaluar.
“Thaçi vet ka kërcënuar se do ta vriste një të ndaluar”, citoi prokurori, siç e quan ai, një dëshmi.
Clare Lawson, është prokurorja e radhës që po paraqet deklaratën përfundimtare të Prokurorisë në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ajo ka theksuar se, kur bëhet fjalë për shenjestrimin e oponentëve dhe krimet që pasuan, anëtarët e të ashtuquajturës “Ndërmarrje e përbashkët kriminale” po përpiqeshin të fshihnin veprimet e tyre dhe, siç u shpreh ajo, të kalonin pa u vënë re nga askush.
Sipas prokurores, kjo është e dokumentuar dhe mbështetur nga shumë prova të paraqitura gjatë procesit.
“Kjo demonstrohet në mënyrë të shumtë në të gjitha provat”, është shprehur ajo.
Në vazhdim të kësaj deklarate, Lawson përmendi një takim të Hashim Thaçit dhe Fatmir Limajt me përfaqësues të “Human Rights Watch” dhe duke pretenduar se Thaçi ka folur për arrestimin e dy personave.
“Më 8 nëntor vitit 1998, Thaçi, i shoqëruar nga Limaj, u takua me përfaqësues të “Human Rights Watch” dhe pretendoi që dy të ndaluar, arrestimi i të cilëve kishte tërhequr shumë vëmendje të publikut, ishin gjykuar në mungesë dhe pa përfaqësim ligjor, pra pa avokat dhe tani po vuanin një vendim dënimi me burg”, pretendon ajo.
Prokurorja ka pretenduar se pas këshillës për lirimin e dy të ndaluarve, Thaçi siç thotë ajo, është shprehur se s’duhet ndërhyrë në proces.
“Kur u këshillua që të ndaluarit duhet të liroheshin dhe kur u tha që masat duhet të merreshin, “Human Rights Watch” nuk mund të ndërhynte me procesin gjyqësor, domethënë kjo është çfarë tha Thaçi dhe nuk ishte e mundur që autoritetet civile, gjyqësore të mund të ndikoheshin prej tyre”, shtoi ajo./Klankosova.tv
Prokurorja Clarie Lawson, ka paraqitur fjalët përmbyllëse në gjyqin e madh në rastin ‘Thaçi dhe të tjerët’.
Ajo ka folur mbi pretendimet se si pjesëtarë të UÇK-së kanë heshtur përballë ‘krimeve të luftës’, transmeton Klankosova.tv.
“Të ndaluarit janë rrahur brutalisht përfshirë këtu edhe nga Rexhep Selimi, ndërsa 11 të ndaluar kanë vdekur”, pretendon Lawson.
“Thaçi i kishte synimet e qarta. Thaçi i shoqëruar nga Selimi, ia paraqiti UNMIK-ut planin për qeverinë e përkohshme”, tha ajo pos tjerash.
Sipas saj, ish-presidenti Hashim Thaçi po përpiqej të ekzekutonte punë që nuk i takonin.
Në deklaratën përmbyllëse në gjyqin e madh ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve, prokurori i lartë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Alan Tieger theksoi angazhimin e të akuzuarve për të realizuar një qëllim të përbashkët gjatë vitit 1998.
Ai vuri në dukje se ky qëllim ka qenë i qartë dhe siç tha, është përsëritur vazhdimisht gjatë këtij periudhe kohore.
“Qëllimi i përbashkët dhe angazhimi i të akuzuarve lidhur me këtë qëllim të përbashkët, është bërë i qartë herë pas here gjatë gjithë 1998-tës”, është shprehur ai.
Ndërkaq, në fillim të kësaj deklarate, Tieger ka prezantuar para trupit gjykues dëshmitë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, të cilat pretendojnë se ata janë fajtorë për krime të kryera gjatë luftës. ./Klankosova.tv
Në fjalën e saj hyrëse në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kryeprokurorja e Hagës, Kimberly West, nënvizoi se krimet për të cilat akuzohen janë kryer dhe se ata mbajnë përgjegjësi ligjore për to.
West gjithashtu theksoi se Gjykata ka dëgjuar dëshmi nga disa dëshmitarë të mbrojtjes, të cilët janë ndërkombëtarë dhe kanë qenë të përfshirë në përpjekje për të sjellë paqe dhe administrim të Kosovës.
“Këto krime janë kryer, dhe se të akuzuarit mbajnë përgjegjësi ligjore për to. Gjykata gjithashtu ka dëgjuar dëshmi drejtpërdrejtë nga disa dëshmitarë të mbrojtjes, shtatë dëshmiratë të mbrojtjes, të gjithë ndërkombëtarë, të cilët ishin të përfshirë në përpjekje për të sjellë paqe dhe administrim të Kosovës dhe që duhet të përgëzohen për përpjekjet e tyre”, tha ajo.
Kryeprokurorja foli për, siç tha ajo, kufizimet e këtyre dëshmive në kontekstin e vendimeve të Gjykatës.
“Por, ndërkohë që përfshirja e tyre në këtë çështje, konstatimet e kufizuara të tyre kanë vlerë për këtë Gjykatë, puna e kësaj Gjykate është tërësisht e ndryshme”.
“Për pjesën dërmuese, shtatë ndërkombëtarët janë hedhur në një situatë me pak informacion lidhur me aktorët kryesorë, të përfshirë, nuk e kanë folur gjuhën, kanë ndërvepruar ballë për ballë më aktorët kryesorë vetëm për pak herë dhe thuajse nuk kanë parë asnjëherë rregullore, urdhëra dhe komunikata të UÇK-së dhe nuk ishin fare të njohur në strukturën e UÇK-së”, tha ajo.
West shtoi se informacioni i kufizuar i dëshmitarëve mund të ketë qenë i mjaftueshëm për punën e tyre të përditshme, por se sipas saj, nuk është i përshtatshëm për të nxjerrë përfundime të sakta juridike.
“Për kontekstin e punës së tyre konkrete, kjo shtresë e paktë informacioni mund të ketë qenë mjaftueshmë, por është absolutisht jo e përshtatshme për të nxjerrë fakte dhe për gjetjen e fakteve të sakta nga kjo Gjykatë”, tha kryeprokurorja./Klankosova.tv
Kryeprokurorja Kimberly West, në fjalën e saj në seancën përmbyllëse të gjyqit më të madh ndaj Thaçit dhe të tjerëve, ka thënë se Gjykata Speciale ka treguar sukses të madh përgjatë viteve të fundit.
Ajo tha se drejtësia brenda këtyre mureve, është rutinë e zakonshme, transmeton Klankosova.tv.
“Drejtësia është rutinë e zakonshme brenda këtyre mureve. Ne jemi bërë një gjykatë e suksesshme brenda një periudhe relativisht të shkurtër”, u shpreh West.
Sipas saj, shumë dëshmitarë kanë dhënë dëshmi lirshëm dhe pa presion në sallën e gjyqit të Speciales.
Megjithatë, kryeprokurorja s’foli aq mirë për ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin, të cilët po mbahen në paraburgim për mbi pesë vjet në Hagë.
“Nuk kërkojmë dënim për të gjithë shtabin, por për persona individ”, u shpreh ajo.
Sipas saj, dënimet mund të shkojnë deri në 45 vjet burgim.