09.03.2016 · përditësuar para 3797 dite2 min lexim
Trajneri i Kombëtares Shqiptare, Gianni De Biasi ishte kryefjala e një ceremonie të veçantë të organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit me rastin e çmimit “Stoli i Artë”, dhënë nga Federata Italiane e Futbollit.
Në ceremoninë e organizuar në ambientet e federatës shqiptare, ishte i poranioshëm edhe kreu i këtij institucioni, Armand Duka, i cili i dorëzoi një pllakatë simbolike ku ishin gdhendur edhe tre ndeshjet e para të Shqipërisë në Euro 2016.
Trajneri kuqezi u shfaq i emocionuar dhe i provokuar nga ky gjest, premtoi se do të punojë bashkë me skuadrën që rrugëtimi europian mos të ndalet thjesht te këto tre sfida.
“Në pllakatën që më dhatë pashë se janë shënuar tre ndeshjet tona në europian por dua që të shtojmë edhe një ose dy të tjera edhe pse do të jetë shumë e vështirë sepse kundërshtarët tanë janë shumë të fortë”.
Në vijim të fjalës së tij, De Biasi zbuloi edhe disa nga arsyet e suksesit të tij me Shqipërinë, duke theksuar se përveç punës së madhe të bërë nga i gjithë stafi dhe lojtarët, një meritë të madhe ka edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.
“Kam pasur shumë presidentë që kanë ndërhyrë në punët e mija, por Duka nuk më ka kërkuar asnjëherë asnjë gjë në aspektin e menaxhimit të skuadrës dhe për këtë e falënderoj shumë pasi ka qenë një president shumë korrekt”.
Për trajnerin italian, ndeshjet miqësore janë zgjedhje e bërë nga vetë ai. De Biasi e pranoi se sfidat kundër skuadrave jo të një niveli shumë të lartë, karikojnë me optimizëm grupin pasi objektivi i tij është që të përgatisë sa mëq mirë psikologjikisht grupin që ka në dispozicion.
“Të gjitha ndeshjet i kam zgjedhur unë sepse nuk ka kuptim që në fund të sezonit të luajmë me skuadra që mund të na shënojnë nga 5 gola. Si mund të shkojmë të qetë në europian nëse ndaj Spanjës psh. pësojmë 5 gola. Zgjodha Katarin sepse është një vend organizator i botërorit dhe do të jetë një test që do të na lejojë të luajmë në mënyrë të përshtatshme ndaj Zvicrës dhë për më tepër nuk japim pika referimi për kundërshtarët”.
I pyetur se kush janë lojtarë që rrezikojnë më shumë të mos grumbullohen në europian, De Biasi dha një përgjigje diplomatike duke theksuar se ka ende kohë për të vlerësuar të gjithë emrat. Ai konfirmoi praninë e Milot Rashicës për ndeshjen kundër Luksemburgut, ndërsa theksoi se Arlind Ajeti ka qenë lojtari që e ka habitur më shumë me paraqitjet e tij te Frosinone gjatë muajve të fundit. Një koment, De Biasi e shkëputi edhe për transferimin e Shkëlzeën Gashit drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Gashi bëri zgjedhjen e vetme që kishte në dispozicion. Ai shkoi të luajë në një kampionat që mund t’i japë mundësinë të aktivizohet në vazhdimësi. Është më mirë të luash larg Zvicrës nëse nuk ke mundësi të aktivizohesh aty ku je. Shpresoj të luajë dhe të mos ketë probleme fizike”.
●●●
Shpërndaje këtë artikull
K
SHKRIMI NGA
KLANKOSOVA
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.