Lajmet e fundit

Trajneri i Kombëtares, Gianni De Biasi, nuk e dramatizoi humbjen me Portugalinë, por nga ana tjetër nuk e fshehu as zhgënjimin, i cili reflektohej në pamjen e tij. Italiani tregohet realist, kur deklaron se luzitanën janë një skuadër e nivelit të lartë.
“E dinim forcën e Portugalisë, dhe duhej të ishim të kujdesshëm deri në fund. Fola për 3 minuta me lojtarët pas ndeshjes. Është një humbje që i djeg të gjithëve. Në pjesën e dytë luajtëm më mirë se në të parën. Mendoj se është një humbje që do të na shërbejë edhe në të ardhmen. Nuk duhet të rrëmbeheshim nga publiku, por duhet të bënim lojën tonë”.
Përsa i përket ndeshjeve të ardhshme, atë me Serbinë dhe Armeninë, De Biasi i ka idetë e qarta.
“Në dy ndeshjet e ardhshme duhet të paraqitemi mirë dhe të marrim pikët për kualifikimin. Me këtë humbje ia ndërlikuam gjërat vetes”.