Lajmet e fundit

Trajneri i kombëtares shqiptare Gianni De Biasi nuk e ka marrë shumë me qejf deklaratën e zëdhënëses së Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Jona Dervishi. Kjo e fundit ditë më parë, në një postim në faqen e saj në Facebook shkroi se “Shqipëria e ka bërë të famshëm strategun italian”.
“Më vjen mirë që jemi rritur dhe përmirësuar së bashku vitet e fundit”, - ka deklaruar De Biasi, i cili është pyetur nga “Panorama Sport”. “Ne punojmë për t’i përmirësuar gjërat edhe në vazhdim, ndaj maloret që hasim gjatë rrugës janë thjesht pjesë e sfidës së përditshme” –tha ai.
Italiani ka folur edhe për nënshkrimin e kontratës së re. Ajo pritej të diskutohej pas ndeshjes me Portugalinë, por një gjë e tillë nuk ndodhi. Kreu i FSHF-së Armand Duka ka paralajmëruar se diskutimi i kontratës me trajnerin pritet të ndodhë pas dy ndeshjeve të fundit ndaj Serbisë dhe Armenisë.
Vetë De Biasi thotë se nuk e ka mendjen te kontrata në këto momente.
“Jam i fokusuar vetëm te skuadra, te kundërshtarët dhe tek objektivi që kemi për të shkuar në Francë. Nuk është koha për të menduar për gjëra të tjera. Ndiej shumë besim, mbi të gjitha nga lojtarët e mi. Më pas ndiej edhe mbështetjen e tifozëve që është gjithnjë e më e madhe”
Në fund, ish trajneri i Torinos ka mohuar raportimet e mediave se ka filluar kontaktet me skuadrat tjera./Lapsi.al