Ish-ambasadori i OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, ka theksuar nevojën për thellimin e partneritetit strategjik mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, duke vlerësuar se ekziston një bazë e fortë për bashkëpunim afatgjatë mes dy vendeve.
Në një intervistë për “Info Magazinë” në Klan Kosova, Davenport tha se përveç bashkëpunimit politik dhe diplomatik, ka hapësirë të konsiderueshme edhe për forcimin e lidhjeve ekonomike, veçanërisht përmes inkurajimit të investimeve britanike në Kosovë.
Sipas tij, ideja e një partneriteti strategjik është diskutuar në disa nivele, përfshirë margjinat e samitit të Procesit të Berlinit dhe takimet e zhvilluara vitin e kaluar në Londër, ku për këtë çështje kanë folur edhe presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri në detyrw, Albin Kurti.
“Janë bërë disa thirrje për një marrëveshje partneriteti, që disa e quajnë partneritet strategjik mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar. Ka pasur referenca për këtë në margjinat e samitit të Procesit të Berlinit. Mendoj se edhe presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti kanë folur për këtë, dhe janë zhvilluar biseda edhe në samitin në Londër vitin e kaluar. Bisedat kanë vazhduar që nga ajo kohë, ndonëse janë ndërprerë për shkak të zgjedhjeve. Mendoj se ekziston një bazë e fuqishme për një partneritet më të fortë, strategjik, plotësisht të ndarë nga çështja e migrimit”, tha Davenport.
Ndiqeni videon nga emisioni për më shumë:
https://www.youtube.com/watch?v=NjKK3ijP05I
●●●
VZSHKRIMI NGA
Vanesa Zhugolli
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.