Lajmet e fundit

Departamenti Amerikan i Shtetit ka miratuar shitjen e mundshme të pajisjeve dhe shërbimeve ushtarake për Ukrainën në vlerë prej 100 milionë dollarësh (mbi 94 milionë euro), tha Pentagoni në një deklaratë të martën.
Kievi kërkon pajisje dhe shërbime për riparimin e mjeteve, asistencë teknike, trajnim, botime dhe elemente të tjera të logjistikës dhe mbështetjes së programeve, thuhet në deklaratë, raporton Reuters, transmeton Klankosova.tv.
Por, konflikti në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme po shkatërron gjithashtu depozitat e ShBA-së për mbrojtjen ajrore, tha admirali më i lartë i ShBA-së që mbikëqyr forcat amerikane në rajonin Indo-Paqësor.
"Me disa nga Patriotët që janë përdorur, disa nga raketat ajër-ajër që janë përdorur, tani po konsumohen rezervat dhe të thuash të kundërtën do të ishte mashtrim", tha admirali Sam Paparo, kreu i Komandës Indo-Paqësor të ShBA-së, gjatë një eventi.
"Në mënyrë të natyrshme, kjo imponon kosto për gatishmërinë e Amerikës për t'u përgjigjur në rajonin Indo-Paqësor, i cili është teatri më i vështirë për sa i përket sasisë dhe cilësisë së municioneve, sepse RKP është kundërshtari më i aftë i mundshëm në botë", tha Paparo, duke përdorur një akronim për Republikën Popullore të Kinës.