Lajmet e fundit
Serbia e ka mposhtur Shqipërinë, megjithëse pikët janë pothuaj të pavlefshme, në një ndeshje me pak raste dhe shumë gabime.

Përfaqësuesve të Serbisë nuk iu hynte në punë asnjë pikë nga përballja me Shqipërinë, pasi qyshkur e kanë humbur mundësinë për të ecur për në Francë, por me tre pikët e mbrëmshme ata lanë një pjesë të fajit për gjithçka kanë bërë deri tani, shkruan Danas, transmeton Klan Kosova.
Pjesa e parë ishte shumë e dobët, e mërzitshme madje. As vendësit as mysafirët nuk treguan asgjë në sulm, pasi për të parët fitorja ishte domosdoshmëri dhe nuk donin që të rrezikonin. Të dy palët i mbetën besnik stilit të tyre – shqiptarët lojës intensive, duke qëmtuar gabimet e kundërshtarit në zonat e rrezikshme dhe kundërsulmeve, ndërsa serbët lojës së ngadalshme me posedim. Mundësi pati pak.
Skuadra serbe zotëroi topin, por pati vetëm dy raste shënimi. Kapiteni Branislav Ivanoviq gjuajti fuqishëm pas një kombinimi mes Toshiq dhe Tadiq, por mbi portë. Organizatori i lojës, Adem Ljajiq gjeti portën, por goli i tij u anulua nga gjyqtari pas ndërhyrjes së palejueshme të Zoran Toshiq në gardiani shqiptar Etrit Berisha. Shqiptarët ishin modest në sulm.
Pjesa e parë e gjysmëlojës së dytë pati shumë gabime, ndërhyrje të palejueshme, por me dy herë më shumë raste se gjithë gjysmëpjesa tjetër. Deri në minutën e 80-të, rasti më i mirë ishte ai i Cikalleshit, goditjen e të cilit e dërgoi jashtë vijave kufizuese portieri Stojkoviq.
Në minutat e fundit një pasim i Adem Ljajiq gjeti Aleksandar Kolarovin që fuqishëm gjuajti për të mposhtur gardianin Etrit Berisha. Ndërsa, fitoren e vulosi Ljajiq pas një kundërsulmi.