Lajmet e fundit

“Edhe mu ma lavduan në fillim por ky është ai që pas letrës së kompanisë Ballkan Petrol çështjen e tij e kemi dërguar në prokurori”, i përgjigjet Krasniqi, Kurtit.
Ish-kryeshefi i KEK-ut, del të ketë qenë i kontrolluar krejtësisht nga Kurti dhe Vetëvendosja. Ai, vazhdon t’i raportojë Kurtit për kryeinxhinierin.
“Tani për tani është vështirë të gjykohet a është luftë në mes të kompanive apo vërtetë është i përzier ai”, pohon ai.
Në një bisedë tjetër, Kurti interesohet sërish për kryeinxhinierin lidhur me një konsorcium të kontraktuar për punë në renovimin e Termocentralit “Kosova A”. E pyet ish-udhëheqësin e KEK-ut nëse e kishte dërguar Lushakun në Maqedoninë e Veriut me motiv prishjen e atij konsorciumi.
Por, Krasniqi e mohon.
“Unë s’e kam dërguar askënd”, i raporton ai, Kurtit. “Por më erdhi info nga një kompani që ai ka qenë në Maqedoni”.
Për të njëjtën çështje interesohet edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tregojnë komunikimet në WhatsApp.
“Ka provuar që ta bind një kompani nga Maqedonia që të hyj në partneritet me një kompani tjetër Kosovare”, thotë Krasniqi.
Sipas Krasniqit, Lushaku kishte shkuar në Maqedoninë e Veriut për pazare me tenderë.
“Nga ajo që ata e kanë partner nga ma herët. Dhe sipas tyre, iu ka thënë se nuk mund t’marrin punë në KEK nëse nuk hynë në konzorcium me një kompani që ai ua ka rekomanduar”, thotë Krasniqi, dhe sugjeron marrjen e masave ndaj tij.
Kurti e porosit direkt Krasniqin që të nisë “shkarkimet dhe spastrimet” në ndërmarrjen publike.
“Drejtor, po nuk shkarkove e spastrove tash në KEK, as nuk do të ketë vlerë e as mundësi më vonë…”, e udhëzon direkt Kurti, ish-kryeshefin e kontrolluar prej tij.
Biseda tregon se Krasniqi i nënshtrohej plotësisht autoritetit të kryeministrit. I premtonte atij se do të merrej me këtë punë sapo të verifikonte atë.
“Unë sonte skam si ta vërtetojë”, i përgjigjet ish-kryeshefi, kryeministrit. “Nesër do të merrem me këtë, por me duhet ndihmë që ti gjejmë të verifikohet kjo punë”.
Bekim Lushaku, kryeinxhinieri i KEK-ut i përmendur në bisedën e Kurtit dhe eksponentëve të tjerë të pushtetit, është një inxhinier i elektro-teknikës i punësuar prej disa vitesh në KEK. Në vitin 2016, bazuar në një raportim të mediave më 2016, ai ishte konkurrent për një pozitë në bordin e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”.
I përfshirë në këtë grup të ngushtë të njerëzve të pushtetit, siç dokumentohet nga bisedat në WhatsApp, është edhe Milot Kelmendi, këshilltar i ministres Artane Rizvanolli. Ai, po ashtu është i afërt me Nagip Krasniqin.
Në vitin 2022, kishte marrë pjesë në një takim në mes të Elektranave të Maqedonisë së Veriut (ESM) dhe KEK-ut, bashkë me Krasniqin.
Vijon