Lajmet e fundit

“Tani po e kuptojnë të gjithë sesa i fortë është Hysaj”. Me këtë fjali e nis shkrimin dedikuar mbrojtësit shqiptar e përditshmja italiane, Corriere Dello Sport, e cila i dërgon një mesazh të veçantë trajnerit të Atletico Madrid, Diego Simeone, i cili ka shfaqur interes për lojtarin. Në vijim të shkrimit, Corriere thekson se gjatë merkatos së verës askush nuk besoi te aftësitë e mbrojtësit, por ishte Maurizio Sarri ai që këmbënguli për t’i dhënë mundësinë e hapit të madh të karrierës pas kalimit të të gjitha fazave te të rinjtë e Empolit dhe më pas te ekipi i parë.
“Me pak fjalë një blerje largpamëse për rreth 5 milionë Euro. Fillimisht u mendua si një emër më shumë për Napolin por më pas ai shpërtheu duke u transformuar në një lojtar jetik dhe asnjëherë në dyshim për vendin e titullarit. Fillimisht në të majtë dhe më pas vetëm në të djathtë. Autoritar dhe paraqitje gjithmonë në rritje të vazhdueshme”, nënvizon “Corriere Dello Sport” që përqëndrohet më pas te sirenat e merkatos që vijnë nga Franca dhe mbi të gjitha nga Spanja. Është Diego Simeone ai që e kërkon mbrojtësi kuqezi në Madrid, por sipas të përditshmes italiane është vetëm Napoli që do të marrë vendimin përfundimtar. “KLubi i kaltër mund të arkëtojë shumë të ardhura por vetëm nëse dëshiron ta largojë”, theksohet në fund të mesazhit që Corriere Dello Sport i dërgon virtualisht trajnerit të skuadrës spanjolle. /supersport.al