Lajmet e fundit
Mediat spanjolle raportojnë se pika e kthesës për të ardhmen e tij në Santiago Bernabeu erdhi pas eliminimit nga Kupa e Mbretit, të cilën Zidane akoma s'e ka kapërdirë

Zinedine Zidane kurrë nuk ka qenë njeri i lidhur për kontrata, ose të paktën nuk ka qenë i tillë që nga dita kur nënshkroi me Real Madrid në një pecetë, verën e vitit 2000.
Për të mjaftonte një letër e thjeshtë, sa për ta pasur si dëshmi. Gjashtë vjet më vonë ai i dha lamtumirën futbollit sepse e ndjente se nuk mund ta jepte më të mirën. Hoqi dorë nga gjithçka.
Pas triumfit të tretë me radhë në Ligën e Kampionëve, në vetëm dy vjet e gjysmë si trajner i skuadrës, tekniku francez bëri të njëjtën gjë: u tërhoq, sepse e ndjente se kishte bërë gjithçka mundej.
Në konferencën për media ai deklaroi se skuadrës i duhej shtysë e re në mënyrë që të performonte në nivelet më të larta edhe edicionin e ardhshëm. Por kjo është vetëm njëra anë e medaljes.
Mediat spanjolle raportojnë se pika e kthesës për të ardhmen e tij në Santiago Bernabeu erdhi pas eliminimit nga Kupa e Mbretit, të cilën Zidane akoma s'e ka kapërdirë.
Ai e dinte se gabimi ishte i pafalshëm dhe se gjërat duhet të ndryshonin, por në atë kohë nuk dha kurrfarë shenja dobësie, sepse donte që skuadra të ecte përpara kryelartë deri në fund të edicionit.
Pastaj pati një debat të ashpër me presidentin Florentino Perez, rreth transferimit të Kepa Arrizabalaga në Madrid. Zidane s'e pëlqente marrëveshjen, meqë kishte tre portierë në dispozicion, njëri ndër të cilët i biri i tij Luca. Zinedine mendonte se i biri nuk po merrte trajtimin që meritonte shkaku i mbiemrit.
Kështu ai vendos të largohet, por jo në kërkim të një skuadre tjetër. Ai la skuadrën më të mirë në botë, ndaj nuk mund të drejtojë një tjetër. Zinedine synon udhëheqjen e Francës, por pa nguti, duke pasur gjithmonë në mendje se Real Madrid do të jetë përjetësisht shtëpia e tij.
Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Ai e ka fituar Ligën e Kampionëve me Real Madrid si lojtar, si ndihmës-trajner dhe si trajner. Dhe e ka lënë punën kur ka qenë në kulm, si lojtar, si ndihmës-trajner dhe si trajner.