Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka kritikuar ashpër kryeministrin Albin Kurti, i cili sipas saj, po e çon vendin drejt zgjedhjeve të reja.
Në një lidhje telefonike në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova, ajo tha se kreu i LVV-së me propozimin e Glauk Konjufcës për president, zgjodhi sërish ambicien dhe egon para Republikës.
Sipas saj, kjo situatë është paradoksale, derisa theksoi se pak orë para përfundimit të afatit kushtetues nuk kanë asnjë ftesë për ndonjë seancës rreth zgjedhjes së presidentit. Po ashtu, e njëjta mohoi se ka pasur një takim gjatë këtyre orëve mes Albin Kurtit dhe Bedri Hamzës.
“Mundësi dhe zgjidhje ka pasur pafund. Mirëpo është për keqardhje që Kurti sërish zgjodhi ambicien dhe egon para Kosovës para Republikës”.
“Nuk është e vërtetë. PDK ka qenë e qartë dhe konsistente. Vazhdimisht, në asnjë moment nuk kemi vënë vija të kuqe, kemi qenë tëe hapur për të dhënë zgjidhje, për t’i ofruar Kosovës një mundësi për të dalë nga kriza, mirëpo çfarë është vërtetuar tashmë, Kurti do kontroll dhe pushtet absolut. Një pushtet absolut as në monarkitë e shekullit të kaluar nuk ekzistojnë”.
“E gjithë kjo situatë është paradoksale, jemi pak orë para përfundimit të afatit kushtetues dhe nuk kemi as ftesë për seancë, kjo flet mjaftueshëm për seriozitetin e VV-së. Ka pasur mundësi pa fund”, tha ajo në Klan Kosova.
Në fund, Çitaku tha se mundësi për t’i dhënë Kosovës një president ka pasur pa fund.
“Vendin drejt krizës dhe zgjedhjeve të reja po e dërgon LVV. Mundësi për t’i dhënë vendit president apo presidente ka pasur, ne nuk do të bëhemi pjesë e një seancë të tillë e cila si për qëllim ka legjitimimin e tendencave totalitare të VV dhe Kurtit”.
“Tani e disa vite ne jemi në një cikël të pafundmë krizash dhe në vend se të flasim për hallet e qytetarëve, për çmimet e rrymës, për koston e jetesës, ne po flasim për përmbushjen e egove të emrave të përveçëm në skenën politike kosovare. Ne nuk do të bëhemi pjesë e një teatri të tillë”, shtoi ajo./Klankosova.tv
●●●
VRSHKRIMI NGA
Ve Ra
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.