Lajmet e fundit

Ish-mesfushori i Arsenalit, Cesc Fabregas, e ka pranuar njëherë e përgjithmonë që është ai lojtari që e kishte gjuajtur me picë në fytyrë trajnerin legjendar të Manchester United, Sir Alex Ferguson.
Incidenti kishte ndodhur në tetor të vitit 2004 pas ndeshjes mes Arsenalit dhe United.
Fabregas e konfirmoi këtë lajm për “A League of Their Own” të Sky-it.
“Martin Keown është gënjeshtar sepse e pashë para meje duke grushtuar njerëz, andaj ai nuk ka parë asgjë”, tha Fabregas.
“Krejt papritmas, dëgjoj zhurma dhe çfarë po ndodhë?”
“Kështu që dal me copën time të picës dhe shoh Sol Campbell, Rio Ferdinand dhe Martin Keown duke e shtyrë njëri-tjetrin”.
“Doja që të futesha edhe unë, por nuk e dija se si, dhe e hodha – piuu – veç e hodha”, tha spanjolli për copën e picës.
“Posa e pashë se kë po e godiste, e që nuk e kisha menduar, i kërkova falje Sir Alex-it, vërtetë nuk desha ta bëj atë”.
Fabregas pastaj bëri me gjest se pica e kishte goditur Fergusonin në një anë të fytyrës.